Ushtria izraelite tha të shtunën se e ka vrarë Hassan Nasrallahun, liderin e grupit militant Hezbollah, gjatë një sulmi në Bejrut të premten.
Ushtria tha se e kreu një sulm ajror preciz në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut.
Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, dhe komandatë të tjerë të Hezbollahut, u vranë nga ky sulm gjithashtu, tha ushtria izraelite.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 6 njerëz u vranë dhe 91 të tjerë u plagosën nga sulmet e të premtes, si pasojë e të cilave gjashtë ndërtesa banimi u bënë rrafsh me tokën.
Nasrallahu e ka udhëhequr Hezbollahun për më shumë se tri dekada. Hezbollahu nuk e ka komentuar ende lajmin për vdekjen e tij.
Izraeli i vazhdoi sulmet ajrore kundër Hezbollahut edhe të shtunën, teksa grupi militant shkrepi dhjetëra raketa drejt Izraelit.
Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, i cili e kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez./REL