Zëvendës-shefi i grupit: Hezbollahu u përgatit për pushtimin tokësor izraelit

Azia

Zëvendës-shefi i grupit: Hezbollahu u përgatit për pushtimin tokësor izraelit

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 12:02
Zëvendës-shefi i Hezbollahut, Naim Qassem

Zëvendës-shefi i Hezbollahut, Naim Qassem, dha fjalimin e tij të parë që kur lideri i grupit u vra në një sulm izraelit gjatë fundjavës.

Ai tha se organizata humbi një vëlla dhe një udhëheqës kur u vra Hassan Nasrallah.

Pavarësisht kësaj, dhe humbjes së komandantëve të tjerë, ai thotë se grupi militant po vazhdon rrugën e tij kundër Izraelit.

Në vazhdim, ai thotë se do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën komandë dhe strukturë si Nasrallah.

“Ne nuk do të lëvizim asnjë centimetër nga pozicioni ynë në mbështetjen e Gazës dhe Palestinës dhe mbrojtjen e Libanit dhe popullit të tij,” shton ai.

Ai paralajmëron se nëse Izraeli dëshiron të nisë një pushtim tokësor në Liban, luftëtarët e tij janë të përgatitur dhe gati.

“Ne jemi të bindur se armiku izraelit nuk do t’i arrijë qëllimet e tij”, shtoi Qassem, raporton Sky News.

“Ne e dimë se beteja është e gjatë dhe opsionet janë të hapura për ne dhe jemi gati që armiku të hyjë nga toka, pasi forcat e rezistencës janë gati për përballje tokësore”.

Duke vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara, ai akuzon vendin se mbështet Izraelin në kryerjen e “masakrave” me “mbështetje të pakufishme”.

Lideri i ri do të emërohet në “mundësinë e parë”

Qassem përmendi gjithashtu emërimin e zëvendësuesit të Nasrallah, duke thënë se do të bëhet në “mundësinë e parë”.

“Ne kemi bërë punën e nevojshme për të gjetur alternativa dhe do të zgjedhim një sekretar të përgjithshëm për partinë sa më shpejt të jetë e mundur sipas mekanizmit të miratuar”, thotë ai.

Kushëriri i Nasrallah, Hashem Safieddine, është ndër kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin.

Ai shihet nga mbështetësit si nga një familje e respektuar shiite që ka nxjerrë si studiues fetarë ashtu edhe politikanë libanezë.

Vëllai i Safieddine është përfaqësuesi i Hezbollahut në Iran, ndërsa djali i tij është i martuar me vajzën e Qassem Soleimani – gjenerali iranian i vrarë në një sulm me dron amerikan gjatë presidencës së Donald Trump në 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat