Nënkryetari i grupit: Hezbollahu është gati për një ofensivë tokësore

Azia

Nënkryetari i grupit: Hezbollahu është gati për një ofensivë tokësore

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 12:43
Nënkryetari i Hezbollahut, Naim Qassem

Nënkryetari i Hezbollahut, Naim Qassem është zotuar se Izraeli nuk do të arrijë kurrë t’i shkatërrojë objektivat ushtarake të grupit militant.

Në një fjalim të hënën, Qassem ka thënë se grupi do të vazhdojë të luftojë, madje ka shtuar se Hezbollahu është i gatshëm edhe për ofensivë tokësore.

“Ne jemi mjaft të fortë dhe do t’i çmendim izraelitët sepse ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të arrijnë, godasin dhe dëmtojnë aftësitë tona ushtarake”, ka deklaruar Qassem.

Ai ka shtuar se grupi do të vazhdojë të luftojë dhe se Izraeli po kryen masakra të civilëve në Liban me mbështetjen e plotë të SHBA-së.

“Administrata amerikane po e mbështet Izraelin me të gjitha mjetet dhe Amerika është partnere me Izraelin në çdo gjë, përmes mbështetjes së pakufizuar ushtarake, të të gjitha llojeve, dhe mbështetjes, kulturore, politike, ekonomike. Dhe nëse Izraeli mendon se vendosmëria për të qenë brutale dhe për të vazhduar agresionet na dobëson, atëherë Izraeli është i mashtruar. Dhimbjet janë aty, sakrificat janë aty. Por të gjithë duhet ta dinë se ne e duam martirizimin”, është shprehur ai.

Ai është mburrur me shtrirjen e Hezbollahut në Izrael dhe aftësinë për të synuar vende si Haifa, teksa ka shtuar se vetëm një raketë kishte bërë që një numër i madh izraelitësh të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat