Vrasja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte një hap drejt ndryshimit të “ekuilibrit të fuqive në rajon për vitet në vijim”, deklaroi të shtunën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Udhëheqësi i Izraelit sheh një mundësi që hapet për një rikonfigurim themelor të fuqive në Lindjen e Mesme dhe ai mund të supozojë se Hezbollahu është plagosur për vdekje.
Sidoqoftë, fitorja totale është e paarritshme, dhe ata që marrin atë që dëshirojnë shpesh jetojnë për t’u penduar. Që nga 17 shtatori, Izraeli i ka dhënë grupit militant të mbështetur nga Irani një goditje pas tjetrës në Liban – fillimisht shpërthimet e pager-ave dhe radiove, më pas një sulm masiv ajror në Bejrutin jugor, i cili vrau komandantin e lartë Ibrahim Aqil (së bashku me dhjetëra civilë), i pasuar tre ditë më vonë me fillimin e një fushate brutale bombardimesh. Deri në mbrëmjen e së premtes – kur Nasrallahu u vra nga një bombë që rrafshoi shumë ndërtesa – udhëheqja e lartë e Hezbollahut ishte eliminuar pothuajse tërësisht.
Megjithatë, historia e kohëve të fundit ofron vetëm mësime të hidhura për liderët izraelitë – dhe të tjerët – që kanë ambicie të mëdha për ndryshime tektonike në Liban dhe në Lindjen e Mesme në përgjithësi.
Në qershor 1982, Izraeli pushtoi Libanin me qëllimin për të shtypur Organizatën për Çlirimin e Palestinës. Përtej kësaj, ai shpresonte të krijonte një qeveri të dominuar nga të krishterët në Bejrut dhe të dëbonte forcat siriane nga vendi. Dështoi në të treja objektivat.
Po, grupet e armatosura palestineze në Liban u detyruan të largoheshin nga vendi sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Amerika, që i dërgoi ata në mërgim në Tunizi, Jemen dhe gjetkë. Por qëllimi për të shuar aspiratat kombëtare palestineze së bashku me OÇL-në dështoi. Pesë vjet më vonë, Intifada e Parë Palestineze, ose kryengritja, shpërtheu në Gaza dhe u përhap në Bregun Perëndimor. Sot palestinezët janë po aq të vendosur sa kanë qenë gjithmonë, në refuzimin e pushtimit izraelit.
Aleati kryesor i Izraelit në Liban në kohën e pushtimit ishte Bashir Al-Gemayel, një udhëheqës i milicisë së krishterë maronite i cili u zgjodh nga parlamenti, por para se të merrte detyrën u vra në një shpërthim masiv në Bejrutin lindor. Vëllai i tij, Amin, e zëvendësoi dhe nën udhëheqjen e tij dhe me përfshirjen dhe inkurajimin aktiv amerikan, në maj 1983 Libani dhe Izraeli firmosën një marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve normale dypalëshe.
Përballë kundërshtimeve të forta, qeveria ra pas pak muajsh dhe shumë shpejt marrëveshja u shfuqizua. SHBA, e cila kishte vendosur trupa në Bejrut pas masakrave të shtatorit 1982 në Sabra-Shatila, u tërhoq pasi ambasada e saj u bombardua dy herë, e ndjekur nga marinsat amerikanë dhe kazermat e ushtrisë franceze në tetor 1983. Lufta civile libaneze shpërtheu sërish dhe vendi u ndez për më shumë se gjashtë vjet.
Forcat siriane, të cilat kishin hyrë në Liban në vitin 1976 si një “forcë parandaluese” nën një mandat të Ligës Arabe, nuk u larguan deri në vitin 2005, pas vrasjes së ish-kryeministrit Rafiq Al-Hariri.
Ndoshta rezultati më domethënës i pushtimit izraelit të vitit 1982 ishte lindja e Hezbollahut, i cili vazhdoi të zhvillonte një luftë të pamëshirshme guerilase, që e detyroi Izraelin të tërhiqej në mënyrë të njëanshme nga Libani jugor – hera e parë dhe e vetme kur një forcë ushtarake arabe e detyroi Izraelin të tërhiqej nga toka arabe.
Ky grup i ri, me ndihmën e Iranit, doli të ishte shumë më i rrezikshëm dhe më efektiv se militantët palestinezë që Izraeli i kishte dëbuar me sukses. Hezbollahu vazhdoi të luftonte Izraelin deri në në luftën e vitit 2006, dhe në vitet në vijim vetëm u forcua, me ndihmën e konsiderueshme iraniane.
Sot Hezbollahu është i gjymtuar dhe në kaos, qartësisht i infiltruar nga shërbimi i fshehtë izraelit – por prapëseprapë, do të ishte e parakohshme të shkruhej epitafi i tij.
Përtej Libanit dhe Izraelit, ekziston shembulli i pushtimit të Irakut i udhëhequr nga SHBA në vitin 2003, një mësim historik për mendjemadhësinë e shpenguar. Ndërsa ushtria irakiane u shkatërrua dhe trupat amerikane rendën në Bagdad, administrata e George W. Bushit, pati fantazinë se rënia e Sadam Huseinit do të çonte në rrëzimin e regjimeve në Teheran dhe Damask dhe do të ndizte një lulëzim të demokracive liberale në të gjithë rajonin.
Në vend të kësaj, pushtimi i Irakut nga SHBA u shndërrua në një banjë gjaku të dhunës sektare, në të cilën SHBA pagoi shtrenjtë me gjak dhe para. Vrasja e Sadam Hussainit i lejoi Iranit të përhapte ndikimin e tij në zemër të establishmentit politik në Bagdad.
Al-Kaeda, e shkatërruar nga pushtimi i Afganistanit u rilind në trekëndëshin sunit të Irakut dhe përfundimisht u shndërrua në Shtetin Islamik në Siri dhe Irak.
Ndërsa po shkruaj këtë analizë, shoh tym që ngrihet nga të gjithë periferitë jugore të shkatërruara të Bejrutit dhe kujtoj fjalët e sekretares së shtetit të SHBA-së, Condoleezza Rice, e cila, gjatë luftës Izrael-Hezbollah të vitit 2006, tha se të gjitha gjakderdhjet dhe shkatërrimet që po shihnim atëherë ishin “dhimbjet e lindjes së Lindjes së Mesme të re.”
Kujdes nga ata që premtojnë një agim të ri, lindjen e një Lindje të Mesme të re, një ekuilibër të ri fuqish në rajon. Libani është një mikrokozmos i gjithçkaje që mund të shkojë keq. Është vendi i pasojave të padëshiruara. / CNN – Bota.al