Irani përballet me dilemë të madhe pasi Izraeli vrau liderin e Hebzbollahut, Hassan Nasrallahun, një aleat kyç i Teheranit, gjatë një sulmi ajror në Liban më 27 shtator.
Nëse Irani nis një sulm direkt ushtarak ndaj Izraelit do të mund të provokonte një luftë të plotë mes dy armiqve të përbetuar. Nëse Teherani zgjedh të përmbahet, reputacioni i tij do të mund të pësonte një goditje në mesin e aleatëve, por edhe të armiqve në rajon.
Hezbollahu, një grup i armatosur dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit, është anëtari kryesor i boshtit të rezistencës, që është një rrjet i bashkëpunëtorëve dhe grupeve të armatosura të Iranit kundër Izraelit.
Organizata shiite – që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, edhe pse Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun e saj të armatosur – po ashtu është kyç në strategjinë parandaluese të Iranit kundër Izraelit dhe SHBA-së.
“Irani është në një situatë të vështirë, kur ka shumë nevojë që të jetë në gjendje të përgjigjet, por në anën tjetër ka frikë nga pasojat nëse do të përgjigjej në mënyrë direkte”, tha Matthew Levitt nga Instituti për Politika të Lindjes së Afërt, me seli në Uashington.
S’ka opsione të mira
Irani ka pak të ngjarë që të nisë një sulm direkt ushtarak ndaj Izraelit, një lëvizje që do të nxiste një luftë të plotë që Teherani dëshiron që ta shmangë, thanë ekspertët.
Në rast të një konflikti në shkallë të plotë, Izraeli ka superioritet të jashtëzakonshëm ushtarak, edhe pse arsenali i dronëve dhe raketave të Izraelit paraqet një kërcënim të madh, thanë ekspertët.
“Opsionet e Iranit kundër Izraelit variojnë nga të këqija deri te më të këqija, duke pasur parasysh mangësitë e tij ushtarake konvencionale dhe goditjeve që ka përjetuar rrjeti i tij rajonal i terrorit”, tha Behnam Taleblu, hulumtues në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracive, institut me bazë në Uashington.
Në prill, Irani kreu një sulm të paprecedent me dronë dhe raketa kundër Izraelit. Sulmi u krye pas një sulmi të dyshuar izraelit që la të vrarë shtatë komandantë të lartë iranianë në Siri.
Por, Taleblu tha se Republika Islamike me gjasë sërish do të kryejë një sulm direkt ndaj Izraelit nëse kërcënimi është “ekzistencial dhe ndaj atdheut”.
Me përjashtimin e një konfrontimi të mundshëm të drejtpërdrejtë, ekspertët thanë se Irani mund të shikojë tek anëtarët e tjerë të boshtit të rezistencës – përfshirë milicitë shiite proiraniane në Irak, rebelët Huthi në Jemen dhe milicitë në Siri – për t’i shkaktuar dëm Izraelit dhe aleatit të tij kyç, Uashingtonit.
Boshti i rezistencës i Iranit ka pësuar humbje të mëdha që kur Izraeli nisi luftën shkatërruese në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, duke ngritur pikëpyetje lidhur me aftësinë e tij që t’i hakmerret Izraelit.
Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – është dobësuar shumë në enklavën palestineze. Izraeli, ndërkaq gjatë muajve të fundit ka vrarë Nasrallahun dhe shumicën e udhëheqjes së Hezbollahut në Liban. Izraeli, po ashtu, ka shënjestruar rebelët Huthi dhe grupet proiraniane në Siri dhe Irak.
Strategjia e përmbajtjes
Udhëheqësit iranianë çuditërisht janë dukur të përmbajtur që kur u vra Nastrallahu në sulmin ajror izraelit në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei, nuk ka kërcënuar me një përgjigje direkte iraniane. Kjo është në kontrast me premtimet eksplicite të bëra nga ai që kur Izraeli dyshohet se vrau Ismail Haniyehun, udhëheqësin politik të Hamasit, gjatë një sulmi në Teheran në korrik.
Arsyet e shtyrjes së sulmit të premtuar të Iranit kundër Izraelit
“Irani u tërhoq nga premtimi për një hakmarrje të ashpër dhe nga etja për gjak pas vrasjes së Haniyehut në Teheran sepse e ndjeu se situata politike në rajon nuk po shkonte në favor të tij”, tha Taleblu.
“Por, veprimet gjithnjë e më vdekjeprurëse dhe të guximshme të Iranit kundër Hezbollahut gjatë dy javëve të fundit kanë qenë hiç më pak se ndryshim strategjik i lojës kundër Republikës Islamike dhe ndaj boshtit të saj të rezistencës”, shtoi ai.
Megjithatë, Irani duket se po zgjedh strategjinë e përmbajtjes.
Ministria e Jashtme e Iranit më 30 shtator tha se shteti nuk do të dislokojë forca në Liban apo Rripin e Gazës për të luftuar kundër Izraelit sepse Hamasi dhe Hezbollahu “kanë aftësi dhe forcë për të mbrojtur veten kundër agresionit”.
Farzan Sabet, hulumtues i lartë në Institutin Graduate në Gjenevë, tha se mosgatishmëria e Iranit që t’iu përgjigjet sulmeve të Izraelit kundër aleatëve të tij mund t’i japë një goditje të madhe reputacionit të Teheranit dhe pozitës së tij në rajon.
“Perceptimi është që Teherani nuk është në gjendje të zbatojë vijat e tij të kuqe kundër Izraelit”, tha ai. “Edhe nëse kjo nuk është e vërtetë, kjo e bën Iranin të duket i dobët. Dhe dobësia e perceptuar u hap rrugën sfidave më të mëdha”.
Përdorimi i armëve bërthamore?
Edhe pse Khamenei duket se po përmbahet, disa zyrtarë të linjës së ashpër në Iran kanë bërë thirrje për një veprim ushtarak kundër Izraelit. Disa madje i kanë bërë thirrje Teheranit që të armatosë programin bërthamor të vendit, duke argumentuar se vetëm parandalimi bërthamor do të ofrojë siguri që Izraeli të mos e sulmojë drejtpërdrejt Iranin.
Mediat iraniane kanë raportuar se shteti ka pasuruar mjaftueshëm uranium sa mund të prodhojë dhjetë bomba bërthamore. Por, ekspertët thanë se Iranit mund t’i duhen muaj, apo edhe më shumë se një vit, që të prodhojë uranium në nivelin që kërkohet për të prodhuar një bombë bërthamore.
Sabet tha se llogaritjet e Iranit mund të ndryshojnë nëse përcakton që aftësitë e Hezbollahut janë degraduar ndjeshëm.
“Përderisa konflikti rajonal evoluon, Republika Islamike shumë shpejt mund të përballet me momentin e saj, kur do të duhet të vendosë nëse do të krijojë ose jo armë bërthamore”, tha Sabet./REL