Mediat libaneze kanë raportuar zjarr të rëndë artilerie në qytetet kufitare në Libanin jugor.
Bëhet e ditur se disa trupa të Forcave të Armatosura Libaneze po “ripozicionohen” pranë kufirit.
“Ne po dëgjojmë gjithashtu nga izraelitët se tre qytete në kufirin verior tani janë shpallur zona të mbyllura ushtarake”, tha korrespondenti ndërkombëtar, John Sparks, shkruan skynews.
“Kjo ju jep një tregues mjaft të mirë se një inkursion është i mundshëm, madje shumë i mundshëm, në orët e ardhshme”, shtoi Sparks.
Gjithashtu, një njësi e lëvizshme e artilerisë izraelite është fotografuar duke gjuajtur një predhë nga Izraeli verior drejt Libanit, në një pozicion pranë kufirit Izrael-Liban.
Ndryshe, së fundmi Britania e Madhe u ka bërë thirrje shtetasve të saj të largohen menjëherë nga Libani.
Ky paralajmërim vjen pasi ka shqetësime për rritjen e dhunës në Lindjen e Mesme pas vrasjes së udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në sulmet ajrore izraelite në Bejrut.