LIVE: Izraeli zotohet se sonte do t’i përgjigjet fuqishëm Iranit – Ky është shteti që rri në gatishmëri të lartë pas sulmit raketor

Azia

LIVE: Izraeli zotohet se sonte do t’i përgjigjet fuqishëm Iranit – Ky është shteti që rri në gatishmëri të lartë pas sulmit raketor

Nga: Bota sot Më: 1 tetor 2024 Në ora: 06:12 Përditësuar në ora: 21:52 më 01.10.2024
Pamje nga sulmet mes Izraelit dhe Iranit - 1 tetor 2024.

Ushtria izraelite thotë se do të përgjigjet fuqishëm sonte

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari ka thënë se Forcat Ajrore izraelite do të "goditin fuqishëm në Lindjen e Mesme" sonte.

"Sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite dhe amerikane operuan në mënyrë efektive" në breshërinë e raketave iraniane, thotë ai në një përditësim.

“Irani kreu një akt serioz sonte dhe po e shtyn Lindjen e Mesme drejt një përshkallëzimi”, shton ai.

"Ngjarja e sotme do të ketë pasoja."

Ushtria jordaneze në gatishmëri të lartë pas sulmit raketor të Iranit ndaj Izraelit

Ushtria e Jordanisë përmes një deklarate ka njoftuar se të gjitha njësitë dhe formacionet në komandën e përgjithshme të forcave të saj të armatosura janë vënë “në gatishmëri të lartë” për t’u përballur me çdo përpjekje që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e mbretërisë.

Duke cituar një burim ushtarak në komandën e përgjithshme të forcave të armatosura, deklarata shtoi:

“Komanda e Përgjithshme po monitoron nga afër zhvillimet që po ndodhin në rajon dhe ka marrë masat e nevojshme paraprake për ndërtimin dhe mbështetjen e njësive të vijës së parë në frontet kufitare për të mbrojtur atdheun”.

Ndryshe, Jordania së fundmi ka mbyllur edhe hapësirën ajrore për shkak të sulmit iranian me raketa drejt Izraelit, shkruan CNN.

Bëhet e ditur se shpërthime të forta janë dëgjuar edhe në luginën e Jordanit, e cila ndodhet në kufirin midis Jordanisë dhe Bregut Perëndimor.

Dëshmitarët kanë thënë se kanë parë dhjetëra raketa të fluturojnë mbi Jordaninë qendrore. 

Pas sulmit raketor, Irani dhe Izraeli kërcënojnë njëri-tjetrin

Pas një sulmi masiv me raketa balistike nga Irani drejt Izraelit, dy rivalët e kanë kërcënuar njëri-tjetrin me sulme të tjera, duke shtuar frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Forcat Revolucionare të Iranit kërcënuan se do të kryejnë “sulme shkatërruese” ndaj Izraelit, nëse ky i fundit reagon ndaj sulmit të 1 tetorit nga Republika Islamike.

“Nëse regjimi sionist reagon ndaj operacioneve iraniane, do të përballet me sulme shkatërruese”, tha Trupi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars.

Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se sulmi me raketa i Iranit ishte serioz dhe do të ketë pasoja, duke shtuar se nuk do të specifikonte se si dhe kur do të përgjigjej Izraeli.

Hagari tha se nuk ishte në dijeni për ndonjë viktimë nga sulmi nga Irani me raketa. Ai theksoi se kishte disa shpërthime në pjesët qendrore dhe jugore të Izraelit.

“Ne jemi në gatishmëri të lartë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, tha Hagari në një transmetim televiziv, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Ne do të mbrojmë qytetarët e shtetit të Izraelit. Ky sulm do të ketë pasoja. Ne kemi plane dhe do të veprojmë në vendin dhe kohën që ne do të vendosim”, shtoi ai.

Irani lëshoi një sërë raketash balistike ndaj Izraelit si përgjigje ndaj fushatës izraelite kundër aleatëve të Teheranit në Liban, Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez.

Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.

Së fundmi, alarmet ranë në të gjithë Izraelin dhe shpërthime u dëgjuan në Jerusalem, ndërkohë që banorët e Izraelit u udhëzuan të strehoheshin në vende të sigurta.

Bëhet e ditur se SHBA-ja kishte paralajmëruar më herët për një sulm të mundshëm me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit dhe thanë se do të kishte pasoja “të rënda” për Teheranin.

Vjen reagimi i ushtrisë izraelite pas sulmit me raketa nga Irani

Irani sapo ka sulmuar Izraelin me raketa, ka njoftuar ushtria izraelite.

Raportet thanë se sirenat paralajmëruese u dëgjuan në Jerusalem dhe Tel Aviv.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i IDF-së izraelite e cila ka dalë me një deklaratë:

“Pak kohë më parë, raketat u lëshuan nga Irani drejt shtetit të Izraelit”.

“Ju udhëzoheni të qëndroni vigjilentë dhe të ndiqni me saktësi udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm”.

“Në minutat e fundit, Komanda e Frontit të Brendshëm ka shpërndarë udhëzime për shpëtim në zona të ndryshme në të gjithë vendin. Publikut i kërkohet t’i përmbahet udhëzimeve të Komandës së Frontit të Brendshëm. Me të dëgjuar një sirenë, duhet të hyni në një hapësirë ​​të mbrojtur dhe të qëndroni atje deri në një njoftim të dytë”.

“IDF po bën dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur civilët e shtetit të Izraelit”. 

Irani lëshon raketa drejt Izraelit

“Të gjithë civilët izraelitë janë në strehimore kundër bombave ndërsa raketat nga Irani janë lëshuar në Izrael.”, njofton IDF nëpërmjet një postimi në X, duke shtuar se sirenat kanë rënë në të gjithë vendin.

Mediat izraelite raportojnë se janë lëshuar mbi 100 raketa drejt Izraelit. Ndërkohë IDF iu kanë bërë thirrje qytetarëve “që të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e komandës së frontit të brendshëm”.

Më herët, SHBA njoftoi se kishte indikacione se Irani po përgatitej për të sulmuar me raketa balistike Izraelin.

 

IDF thotë se ka në shënjestër Bejrutin

Nga: A.Sh

Izraeli ka nisur sulmi tokësor.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se tani po synojnë Bejrutin në një postim në X, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kujtojmë, se edhe Irani "po përgatitet" të hakmerret ndajizraelit, sipas burimeve.

Irani përgatit një sulm raketor 'të afërt' ndaj Izraelit

Sipas disa agjencive të lajmeve, SHBA-të kanë indikacione se Irani po përgatitet të nisë një sulm raketor në Izrael.

AFP citon një zyrtar amerikan si burimin e saj dhe Reuters dhe Axios citojnë veçmas një zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtari amerikan thuhet se i thotë AFP-së një sulm ndaj Izraelit do të kishte "pasoja të rënda për Iranin".

IDF: Aktualisht nuk po luftojmë ballë për ballë në Liban

Nga: A.Sh

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, tani po merr pyetje nga media në lidhje me pushtimin tokësor të Izraelit.

"Tani nuk po luftojmë ballë për ballë [me Hezbollahun], por po e marrim seriozisht," thotë Hagari.

Ai shton se forcat izraelite janë "gati për të luftuar" forcat e Hezbollahut, por ai gjithashtu thotë se Izraeli nuk do të shkojë në Bejrut, apo në ndonjë qytet jugor të Libanit.

Më pas Hagari pyetet se çfarë do të ndodhë gjatë “inkursionit” në ditët në vijim.

“Ti thua inkursione dhe unë them bastisje”, thotë ai.

"Ky është një bastisje, një bastisje e zgjatur", duke shtuar se "ne do ta bëjmë sa më shpejt që të mundemi, do të heqim kërcënimin".

"Ne do ta shtyjmë Hezbollahun prapa [nga] kufiri."

IDF thotë se ka çmontuar armë të prodhuara nga Irani në komplekset e Hezbollahut

Nga: A.Sh

Më shumë tani nga zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari, i cili thotë se forcat speciale të IDF-së hynë në komplekset e Hezbollahut në Liban në "dhjetëra vendndodhje" muajt e fundit.

Ai thotë se forcat çmontuan armë, duke përfshirë "armë të avancuara të prodhuara nga Irani".

Duke folur për grafikë të tuneleve nëntokësore brenda Libanit, Hagari shton se IDF ka ekspozuar dhe çmontuar mbi 700 "asete terroriste" të Hezbollahut.

IDF: Forcat izraelite kanë muaj që operojnë brenda Libanit

Nga: A.Sh

Tani po dëgjojmë nga zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari, i cili u drejtohet mediave në hebraisht, dhe më pas në anglisht.

Ai thotë se forcat izraelite kanë operuar brenda Libanit dhjetëra herë gjatë muajve të fundit, duke shkatërruar tunele.

Si kujtesë, Izraeli njoftoi një operacion tokësor "të kufizuar" në Liban vetëm në orët e para të së martës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat