Shefi i ushtrisë izraelite thotë se do t’i përgjigjet sulmit me raketa të Iranit.
“Ne do të përgjigjemi. Ne mund të gjejmë objektiva të rëndësishëm dhe mund t’i godasim me saktësi dhe fuqi,” tha shefi i shtabit të përgjithshëm, Herzi Halevi, shkruan Sky News.
“Ne kemi aftësinë për të arritur dhe goditur çdo vend në Lindjen e Mesme, dhe ata nga armiqtë tanë që nuk e kanë kuptuar ende këtë do ta kuptojnë së shpejti”, shtoi ai.
Irani hodhi të martën më shumë se 180 raketa balistike drejt Izraelit, në përgjigje të, siç tha, agresionit të tij në Liban dhe në Gazë.
Shumica e raketave të Iranit u kapën në ajër, por disa depërtuan përmes mbrojtjes raketore. Megjithatë, nuk u raportua për viktima.