LIVE: Izraeli nuk i ndalon sulmet ajorore, lëshon disa raketa – vjen kërkesa urgjente e Macron!

Azia

LIVE: Izraeli nuk i ndalon sulmet ajorore, lëshon disa raketa – vjen kërkesa urgjente e Macron!

Nga: Bota sot Më: 5 tetor 2024 Në ora: 06:09 Përditësuar në ora: 17:23 më 05.10.2024
Foto ilustrim

Izraeli kryen sulme ajrore në Bejrut dhe në veri të Libanit

Izraeli ka zgjeruar bombardimet në Liban më 5 tetor, duke goditur periferitë në jug të Bejrutit përmes 12 sulmeve ajrore dhe duke sulmuar një kamp të refugjatëve palestinezë në veri të Libanit.

Kjo është hera e parë që Izraeli ka sulmuar veriun e Libanit. Sulmi në kampin Bedavi, afër Tripolit në veri, la të vrarë një komandant të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – si dhe gruan dhe dy vajzat e tij, njoftoi grupi palestinez.

Tripoli gjendet në veri dhe është shumë larg nga shumica e sulmeve të kryera nga Izraeli, që kryesisht janë përqendruar në jug të Libanit dhe Bejrut.

 

 

Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të Hamasit në Liban që kur nisi mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në tetor të vitit të kaluar. Izraeli po ashtu ka vrarë udhëheqës të lartë të Hezbollahut, që është grup militant dhe parti politike që kontrollin shumicën e jugut të Libanit.

Të paktë gjashtë persona janë vrarë në dhjetëra sulme ajrore që Izraeli kreu gjatë natës dhe të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Liban.

Ushtria izraelite tha se forcat speciale kanë kryer bastisje të shënjestruara tokësore kundër infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit, duke shkatërruar raketa, raketahedhës, kulla vrojtimi dhe depo të armëve. Ushtria tha po ashtu se ka shkatërruar tunele që Hezbollahu, sipas saj, i ka përdorur për t’iu afruar kufirit izraelit.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, e cila ka ulëse në Parlamentin libanez.

Afër 1.400 libanezë, përfshirë luftëtarë të Hezbollahut dhe civilë, janë vrarë dhe rreth 1.2 milion të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në fund të shtatorit, me qëllim që të dëmtojë grupin e Hezbollahut dhe ta dëbojë atë nga kufiri. Më herët gjatë javës, Izraeli nisi ofensivë tokësore në jug të Libanit. Në ditët e fundit, nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë betejave me Hezbollahun në jug të Libanit, ka thënë ushtria.

Në dy javët e fundit, pothuajse 375.000 persona janë larguar nga Libani për në Siri për shkak të luftimeve, sipas të dhënave të Qeverisë libaneze.

Teksa po vazhdojnë luftimet në Liban, Izraeli po ashtu është duke vazhduar luftën në Gazë kundër Hamasit. Më 5 tetor, në veri të Gazës dhe në pjesën qendrore të enklavës janë vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, gjatë sulmeve izraelite, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Hamasi sulmoi veriun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë, sulm që nxiti luftën në Gazë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë pothuajse 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë./rel

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që të ndalohen dërgesat e armëve për Izraelin, që kanë qenë kritike për kryerjen e operacionit hakmarrës të Izraelit në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Mendoj se sot prioriteti është që ne të kthehemi të një zgjidhje politike, që ne të ndalojmë dërgimin e armëve për luftën në Gazë”, tha Macron për transmetuesin France Inter.

“Franca nuk po dërgon armë”, shtoi ai.

Franca nuk është një ofruese e madhe e armëve për Izraelin dhe vitin e kaluar dërgesat e pajisjeve ushtarake arritën deri në 33 milionë dollarë, sipas raportit vjetor për eksportin e armëve të Ministrisë franceze të Mbrojtjes. Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, i kishin dërguar armë Izraelit vitin e kaluar në vlerë prej 3 miliardë dollarësh.

Në shtator, Britania njoftoi për pezullimin e eksporteve të armëve për Izraelin, duke u thirrur në “rreziqe reale” se ato armë mund të përdoren në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Macron përsëriti shqetësimin e tij mbi konfliktin në Gazë që po vazhdon pavarësisht thirrjeve të përsëritura që palët të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.

“Mendoj se ne nuk po dëgjohemi. Mendoj se është gabim, përfshirë edhe për sigurinë e Izraelit”, tha ai, duke shtuar se konflikti po çon në “urrejtje”.

Ai po ashtu foli edhe për përshkallëzimin e dhunës mes Izraelit dhe Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – në Liban. Ai tha se ky përshkallëzim është “prioritet”.

“Libani nuk mund të bëhet Gaza e re”, tha ai.

Të hënën, më 7 tetor, shënohet njëvjetori i sulmit të paprecedent të kryer nga Hamasi në Izrael, që nxiti luftën në Gazë. Radikalët palestinezë vranë afër 1.200 persona dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë afër 42.000 palestinezë./REL

OKB refuzon kërkesën e Izraelit për të zhvendosur paqeruajtësit në Liban

Forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban thanë më 5 tetor se nuk do të lënë pozicionet e tyre në jug, pavarësisht se thanë se Izraeli ka kërkuar që ata të “zhvendosen”.

“Më 30 shtator, ushtria izraelite ka njoftuar forcat paqeruajtëse për qëllimin e saj për të ndërmarrë një inkursion të kufizuar tokësor në Liban, Ata na kanë kërkuar që ne të zhvendosemi nga disa pozicione”, tha Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban.

“Paqëruejtësit vazhdojnë të jenë në të gjitha pozicionet dhe flamuri i OKB-së vazhdon të valojë. Ne rregullisht ndryshojmë pozicionin tonë dhe veprimet tona dhe kemi plane të gatshme, të cilat mund të zbatohen nëse është e nevojshme”, u tha në njoftim.

Izraeli ka intensifikuar fushatën e tij kundër Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – që nga 23 shtatori, duke vrarë më shumë se 1.110 persona dhe duke detyruar qindra mijëra që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Më herët gjatë kësaj jave, Izraeli njoftoi se ka nisur një ofensivë të kufizuar tokësore në jug të Libanit, kundër Hezbollahut.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

“Ne vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje Libanit dhe Izraelit që të riangazhohen për rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit – me vepra, e jo vetëm me fjalë – si zgjidhja e vetme për të risjellë stabilitetin në rajon”, tha forca e OKB-së.

Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që i dha fund luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, thotë se vetëm ushtria e Libanit dhe paqeruajtësit e OKB-së duhet të dislokohen në jug të Libanit./REL

​5 raketa të lëshuara nga Libani drejt Izraelit verior

Ushtria izraelite deklaroi sot se pesë raketa u lëshuan nga Libani drejt Izraelit verior mes tensioneve të përshkallëzuar përgjatë kufirit.

Në një deklaratë të shkurtër, ushtria izraelite tha se "pas sirenave të aktivizuara në Emek Yizrael dhe Wadi Ara, rreth pesë raketa u lëshuan nga Libani".

Ushtria tha se disa nga raketat u kapën nga sistemi mbrojtës Iron Dome, ndërsa pjesa tjetër u ul në zona të hapura. Për momentin, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për lëshimin e raketës.

Vlerësimet fillestare tregojnë se raketat kishin në shënjestër bazën ajrore Ramat David, një strukturë strategjike ushtarake e vendosur në juglindje të Haifës në rajonin Emek Yizrael, raportoi gazeta izraelite Walla.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas tetorin e kaluar.

Të paktën 2011 njerëz janë vrarë që atëherë, mbi 9500 janë plagosur dhe 1.2 milionë të tjerë janë zhvendosur, sipas autoriteteve libaneze. /AA

Izraeli nis sulme të reja në Bejrut mes përleshjeve me Hezbollahun pranë kufirit me Libanin

Izraeli ka nisur sulme të reja ajrore në Bejrut gjatë natës, me një seri shpërthimesh të forta dhe shtëllunga të mëdha tymi të raportuara në jug të kryeqytetit në orët e para të së shtunës. Ushtria izraelite kishte kërkuar më herët evakuimin e pjesëve të periferive jugore të Bejrutit.

Sulmet, pjesë e një sulmi më të gjerë që ka përzënë më shumë se 1.2 milionë libanezë nga shtëpitë e tyre, pasuan bombardimet intensive të enjten mbrëma që thuhet se kishin në shënjestër Hashem Safieddine, kandidatin më të mundshëm për të zëvendësuar Hassan Nasrallah si udhëheqës të Hezbollahut. Fati i tij mbetet ende i paqartë, shkruan The Guardian.

Ndaras, Hezbollah tha se ishte i përfshirë në përleshjet e vazhdueshme me ushtarët izraelitë pranë kufirit jugor të Libanit, duke thënë se ushtarët izraelitë kishin ripërsëritur një përpjekje për të avancuar drejt fshatit Adaysseh.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka mbërritur në Damask për të diskutuar zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe me zyrtarët sirianë, tha të shtunën zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane.

Kjo vjen pasi udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, mbajti një predikim të rrallë publik në Teheran të premten, duke u zotuar se Hezbollahu në Liban dhe Hamasi në Gaza do të rishfaqen fuqishëm me liderë të rinj dhe duke mbrojtur sulmin me raketa balistike si “ligjore dhe legjitime” mbi Izraelin këtë javë.

Araghchi ka bërë një raund thirrjesh diplomatike, përfshirë ministrat e jashtëm europianë, duke këmbëngulur se Irani nuk po kërkonte përshkallëzim dhe duke pretenduar se, ndryshe nga sulmet izraelite në Liban, objektivat e Iranit kishin qenë rreptësisht ushtarake dhe jo civile.

Frika për përshkallëzimin në Lindjen e Mesme, Brukseli i shqetësuar për mungesën e ndikimit te Izraeli

Brukseli është i shqetësuar se nuk ka kontroll mbi situatën në Lindjen e Mesme dhe nuk mund të ndikojë në vendimin e Izraelit nëse do të sulmojë Iranin, raportoi të premten Financial Times, duke cituar disa diplomatë të BE-së.

Në fillim të kësaj jave, Irani gjuajti qindra raketa në drejtim të Izraelit si hakmarrje për inkursionin e shtetit hebre në Liban dhe vrasjen e krerëve të Hamasit dhe Hezbollahut, si dhe një gjenerali iranian që ndodhej në vend.

Izraeli që atëherë është zotuar të hakmerret në përgjigje të sulmit “kudo, kurdo dhe sido që të zgjedhë”, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që pretendon se Irani bëri një “gabim të madh” dhe “do të paguajë për të”.

Zyrtarët e SHBA dhe BE u kanë bërë thirrje të dyja palëve të konfliktit të ushtrojnë përmbajtje, por shqetësimet janë rritur se Uashingtoni dhe Brukseli kanë pak ndikim mbi qeverinë izraelite.

Një diplomat evropian i tha Financial Times se Izraelit i është kërkuar të ndalojë së sulmuari infrastrukturën e naftës ose bërthamore të Iranit, por nuk ka dhënë asnjë garanci se do ta përmbushë këtë kërkesë.

Një tjetër diplomat i lartë i BE-së i tha gjithashtu gazetës se është “dëshpëruese të shohësh se sa pak ndikim kemi në këto ngjarje” dhe se “kjo injekton njëfarë pesimizmi, njëfarë fatalizmi në diskutimet tona mbi të”.

Të enjten, Politico gjithashtu raportoi, duke cituar dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, të paidentifikuar, se presidenti i SHBA Joe Biden po bëhet gjithnjë e më i frustruar që ai nuk është në gjendje të ndikojë në sjelljen ushtarake të Izraelit dhe se bisedat e tij telefonike me Netanyahun “gjithnjë e më shumë janë kthyer në diskutime me të bërtitura”.

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, Trump: Izraeli duhet të godasë objektet bërthamore të Iranit

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar që Izraeli të sulmojë objektet bërthamore të Iranit.

Kandidati republikan presidencial po fliste në një tubim të fushatës në shtetin jugor të Karolinës së Veriut të premten.

Një pjesëmarrës e pyeti Trumpin për kundërmasat ndaj sulmit të fundit raketor të Iranit ndaj Izraelit.

Trump kritikoi presidentin Joe Biden për shprehjen e kundërshtimit ndaj Izraelit që synonte objektet bërthamore të Iranit.

Ish-presidenti tha se Biden “e kishte gabuar atë”. Ai shtoi se përgjigja e Bidenit duhet të ishte: “Goditni objektet bërthamore së pari dhe shqetësohuni për pjesën tjetër më vonë”.

Hezbollah: Dhjetëra ushtarë izraelitë të vrarë dhe të plagosur në Libanin jugor

Hezbollah njoftoi të premten se më shumë se 20 ushtarë izraelitë u vranë ose u plagosën në përleshjet në një fshat kufitar në Libanin jugor.

Grupi tha se regjistroi viktima shtesë për forcat izraelite pas sulmeve të rënda me raketa që synonin një tank dhe grumbullime ushtarake në zonat afër kufirit.

Luftëtarët e Hezbollahut shkatërruan një tank izraelit Merkava pranë postës Malikiya me një raketë të drejtuar, duke rezultuar në vdekje dhe plagosje të ekuipazhit, tha ai.

Për më tepër, grupi nisi sulme me raketa në periferi të Haifa dhe pozicionet e artilerisë pranë Kiryat Shmona.

Hezbollahu gjithashtu shënjestroi disa pozicione izraelite, duke përfshirë Rweissat al-Alam në kodrat e pushtuara Kafr Shuba, si dhe forcat ushtarake në Karmiel dhe Sa’sa me raketa dhe raketa të rënda.

Grupi raportoi bombardimin e bazës Nafah dhe grumbullimeve të ushtarëve pranë postës al-Baghdadi në Izraelin verior.

Zjarri me raketa goditi pozicionet ushtarake izraelite në lindje të Doviv, fushës Maroun al-Ras dhe pranë vendbanimeve Avivim dhe Yiron, tha ai.

Forcat e avancuara izraelite u goditën me artileri dhe raketa në perëndim të Yiron, duke çuar në viktima të tjera.

Hezbollah pretendoi se kishte shënjestruar ushtarët izraelitë që përpiqeshin të depërtonin në fshatin libanez Maroun al-Ras, duke shkaktuar humbje shtesë përmes eksplozivëve dhe përleshjeve nga një distancë e afërt.

Deri të premten vonë, asnjë koment zyrtar nuk ishte bërë nga Izraeli.

Sulmet pasojnë vdekjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili u vra në një sulm izraelit javën e kaluar.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në armiqësi ndërkufitare që kur Izraeli filloi luftën e tij në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar, një konflikt që ka rezultuar në vdekjen e më shumë se 41,800 viktimave, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Sulmet izraelite në Liban kanë vrarë të paktën 2011 njerëz, kanë plagosur më shumë se 9500 dhe kanë zhvendosur 1.2 milionë, sipas autoriteteve libaneze.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin se sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat