‘Vdekjeprurëse, e saktë dhe befasuese’, ky është paralajmërimi i fundit i Izraelit për Iranin

Azia

‘Vdekjeprurëse, e saktë dhe befasuese’, ky është paralajmërimi i fundit i Izraelit për Iranin

Nga: Bota sot Më: 9 tetor 2024 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 20:07 më 09.10.2024
Pamje nga luftimet Izrael-Iran

Thirrja 'shumë domethënëse' Biden-Netanyahu shënon bisedën e parë që nga gushti

Nga: A.Sh

Telefonata mes Joe Biden dhe Benjamin Netanyahu pasditen e sotme zgjati 50 minuta dhe është "shumë domethënëse", thotë korrespondenti ndërkombëtar Alex Rossi, i cili ndodhet në Bejrut.

Është hera e parë që të dy udhëheqësit flasin që nga gushti, gjë që "në vetvete sinjalizon shumë", thotë ai.

“Është e rëndësishme, jo vetëm për shkak se marrëdhënia mes Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan ka qenë goxha e paqartë”, thotë Rossi.

Shtëpia e Bardhë tha se më shumë detaje rreth thirrjes, së cilës iu bashkua edhe nënpresidentja Kamala Harris, do të publikohen më vonë.

Por faqja amerikane e lajmeve Axios raporton se zoti Biden dhe zonja Harris folën me kryeministrin izraelit për hakmarrjen e Izraelit kundër Iranit pasi ai lëshoi ​​një breshëri raketash në territorin izraelit javën e kaluar.

"Unë mendoj se ajo që amerikanët po përpiqen të bëjnë këtu është të formësojnë përgjigjen izraelite ndaj raketave balistike iraniane që u hodhën në Izrael - sa të suksesshëm do të jenë ata në këtë, natyrisht që ne nuk e dimë," shton Rossi.

Ministri izraelit thotë se hakmarrja kundër Iranit do të jetë 'vdekjeprurëse, e saktë dhe befasuese'

Nga: A.Sh

Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant thotë se hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit për sulmin raketor të javës së kaluar do të jetë "vdekjeprurëse, e saktë dhe befasuese".

Në një video të publikuar nga mediat izraelite, Gallant e përshkroi sulmin e Teheranit si një dështim dhe tha: "Kushdo që na sulmon do të lëndohet dhe do të paguajë një çmim".

“Sulmi ynë do të jetë vdekjeprurës, i saktë dhe mbi të gjitha befasues, ata nuk do të kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, do të shohin rezultatet”, tha ai.

Luftëtarët e Hezbollahut përleshen me ushtrinë izraelite pranë qytetit kufitar Naqoura

Luftëtarët e Hezbollahut u përleshën me ushtrinë izraelite pranë qytetit kufitar Naqoura në Libanin jugor, sipas mediave shtetërore të mërkurën, shkruan CNN.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) raportoi për “një shkëmbim zjarri midis armikut dhe rezistencës [Hezbollahut] në zonën Al-Labbouneh pranë qytetit Naqoura”, duke cituar korrespondentin e saj në qytetin jugor të Tirit.

Në një deklaratë të mëparshme, Hezbollahu tha se forcat e tij kishin zmbrapsur me sukses një përparim izraelit në zonë rreth orës 5 të mëngjesit me orën lokale.

“Muxhahedinët e Rezistencës Islamike e shënjestruan atë me predha artilerie dhe raketa dhe arritën goditje të drejtpërdrejta, të cilat çuan në tërheqjen e saj”, tha grupi.

Ushtria izraelite i tha CNN se “aktivitete kundër terrorizmit” po zhvillohen në Liban, por nuk komentoi mbi incidentin specifik.

Të martën, ushtria izraelite tha se ka zgjeruar operacionet në Libanin jugperëndimor.

Izraeli: Pasardhësi i Nasrallahut në pushtet mund të jetë “eliminuar”

Izraeli pretendon se Hashem Safieddine, pasardhësi në pushtet i liderit të vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është “eliminuar”.

Ndërkohë, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ka thënë se Teherani është armiku më i madh i Shteteve të Bashkuara.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë më 8 tetor se Hezbollahu, grup militant i përkrahur prej Iranit, dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është “organizatë pa kokë”.

“Nasrallah është eliminuar – zëvendësimi i tij me shumë gjasë është eliminuar”, u ka thënë Gallant zyrtarëve të komandës veriore ushtarake, pa ofruar më shumë hollësi.

Nuk ka kush të marrë vendime, nuk ka kush të veprojë”.

Hezbollahu është i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë krahun e armatosur, por jo partinë politike.

Netanyahu paralajmëron Libanin se vendi mund të përballet me të njëjtin nivel shkatërrimi si Gaza, nëse Hezbollahu vazhdon sulmet e tij ndaj Izraelit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të martën paralajmëroi Libanin se vendi mund të përballet me të njëjtin nivel shkatërrimi si Gaza nëse Hezbollahu vazhdon sulmet e tij ndaj Izraelit ndërsa Izraeli ka intensifikuar ofensivën e tij tokësore përgjatë bregdetit jugor të Libanit.

Duke iu drejtuar popullit të Libanit, Netanyahu u kërkoi atyre që të shmangin mbështetjen e Hezbollahut.

Paralajmërimi i Netanyahut përkon me vendosjen e trupave shtesë nga ushtria izraelite përgjatë bregdetit libanez dhe një urdhër evakuimi për civilët në zonë.

Forcat izraelite kanë zgjeruar operacionet në Liban si pjesë e përpjekjeve të tyre për të siguruar kufirin verior pas disa muajsh të zjarrit ndërkufitar me Hezbollahun që nga 7 tetori 2023.

Ofensiva e zgjeruar e Izraelit në Liban vjen gati një vit pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit.

Izraeli që atëherë ka nisur një fushatë të pamëshirshme ushtarake në Gaza, duke vrarë mbi 41,965 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas shifrave nga ministria e shëndetësisë e Gazës, të cilat Kombet e Bashkuara i kanë përshkruar si të besueshme.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) raportoi se civilët në Gaza mbeten të zhvendosur dhe vazhdojnë të përballen me kushte të rënda pas një viti lufte.

Ndërkohë, ushtria izraelite zgjeroi ofensivën e saj tokësore kundër Hezbollahut përgjatë seksionit jugor të bregdetit të Libanit të martën, duke vendosur më shumë trupa dhe duke paralajmëruar civilët pranë rajonit të Mesdheut që të evakuohen.

Hezbollah tha se hodhi raketa në qytetin port izraelit të Haifës pasi ushtria izraelite raportoi 85 predha që kalonin nga Libani.

Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua të vazhdojë luftën kundër Hezbollahut dhe Hamasit deri në mposhtjen e të dy grupeve.

Si Hamasi ashtu edhe Hezbollahu janë zotuar të vazhdojnë rezistencën e tyre kundër Izraelit. Të martën, nënkryetari i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi se grupi do të siguronte që izraelitët e kthyer do të përballeshin me sfida të rënda.

Që kur Izraeli nisi një valë sulmesh kundër bastioneve të Hezbollahut në Liban më 23 shtator, konflikti ka rezultuar në mbi 1,110 të vdekur dhe zhvendosur më shumë se një milion njerëz në Liban.

Ndërsa bregu libanez nuk është kursyer, paralajmërimi i fundit i Izraelit për evakuim sugjeron se ai po shtrin ofensivën e tij drejt veriut. Në kanalin e saj Telegram, ushtria izraelite tha se Divizioni i saj 146 filloi “aktivitetet operacionale të lokalizuara” në Libanin jugperëndimor.

Një ditë më parë, ushtria kishte paralajmëruar njerëzit që të qëndronin larg nga pjesa jugore e bregdetit mesdhetar të Libanit, në jug të lumit Al-Awali. Një zëdhënës tha se Izraeli së shpejti do të kryejë operacione në zonat detare.

Në Sidon, peshkatarët vendas shprehën shqetësimin për ndikimin e konfliktit në jetesën e tyre, ku një peshkatar, Issam Haboush, u ankua duke thënë: “Nëse nuk dalim në det, nuk do të jemi në gjendje të ushqehemi”.

Ushtria izraelite tha se goditi bastionin jugor të Hezbollahut në Bejrut, ku një sulm muajin e kaluar vrau liderin e grupit Hassan Nasrallah.

Hezbollahu më vonë tha se zmbrapsi trupat izraelite që “infiltuan nga prapa” një pozicion të paqeruajtësve të OKB-së në fshatin kufitar jugor të Labboune.

Pavarësisht presionit në rritje nga sulmet izraelite, Hezbollah pohon se lidershipi i tij mbetet i paprekur dhe se aftësitë e tij ushtarake janë operacionale. Qassem kundërshtoi pretendimet e Netanyahut për kthimin e izraelitëve të zhvendosur, duke paralajmëruar se shumë më tepër banorë do të detyroheshin të largoheshin.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant e karakterizoi Hezbollahun si një “organizatë të goditur dhe të thyer”, duke pohuar se struktura e tij komanduese ishte dobësuar pas vdekjes së liderit të saj, Hassan Nasrallah, muajin e kaluar.

Netanyahu ripohoi përkushtimin e Izraelit ndaj objektivave të tij ushtarake, duke thënë: “Për sa kohë që armiku kërcënon ekzistencën tonë dhe paqen e vendit tonë, ne do të vazhdojmë të luftojmë”.

Hezbollahu intensifikon sulmet me raketa ndaj Izraelit

Hezbollahu hodhi një tjetër breshëri raketash drejt Izraelit të martën dhe udhëheqësi në detyrë i grupit militant u zotua të vazhdojë trysninë ndaj dhjetëra mijëra trupave izraelite të dislokuara pranë kufirit libanez. Ushtria izraelite tha se dërgoi më shumë trupa tokësore në Libanin jugor dhe se një komandant i lartë i Hezbollahut u vra në një sulm ajror.

Dhjetëra raketa të lëshuara nga Hezbollahu kishin në shënjestër zona të shumta në Izrael, përfshirë qytetin jugor Haifa dhe qeveria izraelite paralajmëroi banorët në veri të qytetit bregdetar që të kufizojnë lëvizjet, duke shkaktuar mbylljen e më shumë shkollave. Ushtria izraelite tha se Hezbollahu lëshoi rreth 180 raketa drejt Izraelit.

Sheikh Naim Kassem, udhëheqësi në detyrë i Hezbollahut, tha se aftësitë ushtarake të grupit militant mbeten të paprekura nga sulmet e rënda ajore të Izraelit. Ushtria izraelite ka sulmuar shumë rajone të Libanit, duke vrarë komandantët e tij kryesorë brenda disa ditësh. Udhëheqësi i Hezbollahut tha se forcat izraelite nuk kanë qenë në gjendje të përparojnë që nga fillimi i një inkursioni tokësor në Liban javën e kaluar.

Gjatë një vidoe konference nga një vend i panjohur, Sheikh Naim Kassemi tha se Hezbollahu do të emërojë një udhëheqës të ri për të zëvendësuar Hassan Nasrallahun, "por rrethanat janë të vështira për shkak të luftës".

Në një deklaratë drejtuar popullit të Libanit, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Hezbollahu është në gjendjen “më të dobët në shumë vite”. Ai theksoi se “ne eliminuam mijëra terroristë, duke përfshirë vetë Nasrallahun dhe shumë zëvendësues të tij”, por pa i përmendur ata me emër.

Hassan Nasrallahu u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut muajin e kaluar. Hashem Safieddine, një kushëri i Nasrallahut që mbikëqyr çështjet politike të grupit, konsiderohej si trashëgimtari i tij. Por asnjë njoftim nuk është bërë për zëvendësimin e udhëheqësit të vrarë të Hezbollahut dhe Hashem Safieddine nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike që nga vdekja e Nasrallahut.

Admirali Daniel Hagari, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha të martën mbrëma se Izraeli po vazhdon përpjekjet për të sqaruar statusin e Hashem Safieddinit dhe akuzoi Hezbollahun se po përpiqej të fshihte detajet e një sulmi të fundit në Bejrut, në një zonë ku besohej se ishte vendnodhja e tij.

Ushtria izraelite tha se ka shkatërruar infrastrukturën e grupit militant përgjatë kufirit Izrael-Liban dhe ka vrarë qindra luftëtarë të Hezbollahut.

Nuk është e mundur të konfirmohen pretendimet e palëve në fushën e betejës.

Ushtria izraelite tha se dislokoi një divizion të katërt në Libanin jugor dhe se operacionet janë zgjeruar në perëndim, por se ajo vazhdon të jetë e përqëndruar në një rrip të ngushtë përgjatë kufirit.

Një ditë pasi shënuan përvjetorin e fillimit të luftës në Gazë, forcat izraelite zhvilluan beteja të forta të martën me militantët palestinezë në veri të Rripit të Gazës, ku banorët janë urdhëruar të evakuohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat