Izraeli thotë se eliminoi një anëtar të rëndësishëm të Hezbollahut në Lartësitë Golan

Azia

Izraeli thotë se eliminoi një anëtar të rëndësishëm të Hezbollahut në Lartësitë Golan

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 10:29
Tanke të ushtrisë izraelite në Lartësitë Golan.

Ushtria izraelite ka thënë më 10 tetor se e ka eliminuar një tjetër anëtar të rëndësishëm të Hezbollahut, teksa vazhdon të sulmojë këtë grup të mbështetur nga Irani.

Adham Jahout, anëtar i “Rrjetit Terrorist të Golanit” në kuadër të Hezbollahut, është vrarë nga një sulm ajror në zonën e Kuneitras në Siri, ka thënë ushtria izraelite.

Jahout ka qenë duke mbledhur inteligjencë nga burime brenda regjimit sirian, dhe ka lehtësuar operacione kundër Izraelit në Lartësitë Golan, ka thënë mes tjerash ushtria.

Izraeli i ka aneksuar Lartësitë Golan pasi ka luftuar kundër Sirisë në luftën e vitit 1967.

Ky aneksim nuk është njohur nga shumica e shteteve.

Ndaras, ushtria izraelite ka thënë më 10 tetor se i ka eliminuar edhe dy komandantë të Hezbollahut në jug të Libanit, dhe që aeroplanët e tij kanë sulmuar depo të municionit në zonën e Bejrutit dhe në jug të Libanit.

Identitetet e dy komandantëve nuk janë bërë të ditura.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Sulmet e reja janë kryer teksa Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore të Izraelit, kanë paralajmëruar kundër bombardimeve në Liban, të ngjashme me ato që kanë shkatërruar Gazën.

Ushtria izraelite e ka nisur ofensivën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej SHBA-së dhe BE-së – si shenjë hakmarrjeje, pas sulmeve të grupit në jug të Izraelit, në tetor të vitit të kaluar, duke lënë më shumë se 1.100 njerëz të vrarë.

Bombardimet izraelite në qendër dhe veri të Gazës, në ditët e fundit, kanë vrarë dhjetëra njerëz, sipas zyrtarëve palestinezë.

“Në Liban nuk duhet të ketë veprim ushtarak që duket ngjashëm me atë të Gazës dhe rezulton me diçka sikurse Gaza”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, më 9 tetor.

Ky paralajmërim ka ardhur pasi presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se ekziston nevoja për marrëveshje diplomatike, për kthim të libanezëve dhe civilëve izraelitë në shtëpitë e tyre, në dy anët e kufirit.

Biden e ka dënuar edhe sulmin e Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit, më 1 tetor, ka thënë Shtëpia e Bardhë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat