Turqia fillon evakuimin e qytetarëve nga Bejruti

Azia

Turqia fillon evakuimin e qytetarëve nga Bejruti

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 12:39
Foto ilustrim

Mbi 2,000 shtetas turq dhe disa të huaj filluan të hipnin në një anije ushtarake turke e cila solli ndihma dhe do t’i largojë ata nga një vend që goditet nga sulmet ajrore izraelite që synojnë Hezbollahun.

Zehra Cibbin, një arabe nga qyteti juglindor turk Mardin, e cila jeton në Bejrut me burrin e saj libanez, zbriti nga një autobus i mbushur me të evakuuar, me dy fëmijët e saj dhe bagazhin në dorë.

“Është e papërshkrueshme. Ata bombarduan rrugën poshtë shtëpisë sonë. Që nga ai moment, mbaroi për mua, thashë se nuk doja të qëndroja më në Bejrut”, tha Cibbin.

Cibbin tha se ata vendosën të largohen nga Bejruti nga frika për jetën e tyre, duke mos menduar se çfarë do të ndodhë kur të mbërrijnë në Turqi.

Ajo foli për The Associated Press përpara se të futej në radhë për të hipur në anijen TCG Bayraktar, e cila së bashku me TCG Sancaktar do të marrë të evakuuarit.

Ata janë pjesë e një kolone me gjashtë anije që u nisën nga porti jugor turk i Mersinit herët të mërkurën, duke transportuar 300 ton furnizime humanitare, duke përfshirë ushqime, pajisje higjienike, enë gatimi, tenda, shtretër dhe batanije.

Përveç shtetasve turq, mes atyre që aplikuan për evakuim në anije ishin edhe shtetas nga Bullgaria, Rumania dhe Kazakistani.

“Agresioni i Izraelit ka ndikuar rëndë Libanin dhe vëllezërit tanë këtu”, tha ambasadori turk në Liban, Ali Baris Ulusoy, duke qëndruar përballë Bayraktarit.

“Ne po kryejmë sot një operacion me dy qëllime: të ofrojmë ndihmë humanitare për vëllezërit tanë libanezë dhe të sigurojmë kthimin e sigurt të qytetarëve tanë që janë në një situatë të vështirë”, shtoi Ulusoy.

Ndryshe, qeveria e Turqisë planifikon të organizojë më shumë evakuime detare nëse është e nevojshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat