LIVE: Vazhdojnë sulmet e ashpra, Izraeli ‘zbulon’ planin e Hezbollahut – vjen paralajmërimi i fshehtë i Iranit

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet e ashpra, Izraeli ‘zbulon’ planin e Hezbollahut – vjen paralajmërimi i fshehtë i Iranit

Nga: Bota sot Më: 11 tetor 2024 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 21:42 më 11.10.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

“Mos e ndihmoni Izraelin, ju do jeni targeti”, paralajmërimi i fshehtë i Iranit për aleatët e SHBA-së

Teherani po kërcënon duke përdoru kanale sekrete diplomatike shtetet e pasura me naftë të Gjirit Persik dhe aleatët e tjerë amerikanë në Lindjen e Mesme nëse territoret ose hapësira ajrore e tyre përdoren për një sulm ndaj Iranit, thanë zyrtarët arabë, citon Wall Street Journal.

Zyrtarët arabë bëjnë me dije se vendet që Irani ka kërcënuar përfshijnë Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Katarin, të cilat të gjitha kanë baza të trupave amerikane.

Këto shtete i kanë thënë administratës Biden se nuk duan që infrastruktura e tyre ushtarake ose hapësira ajrore të përdoret nga SHBA ose Izraeli për ndonjë operacion sulmues kundër Iranit, thanë zyrtarët, citon Wall Street Journal.  

Ndërsa kërcënimet iraniane janë të paqarta, ato kanë ngritur shqetësime në shtetet e pasura me energji të Gjirit Persik se objektet e tyre të naftës – të konsideruara prej kohësh si të mbrojtura nga një ombrellë sigurie amerikane – mund të goditen, thanë zyrtarët arabë.

Instalimet dhe forcat ushtarake amerikane në rajon mund të jenë gjithashtu në rrezik në një rajon me një nga përqendrimet më të larta të trupave amerikane në botë, shtuan ata.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes pranuan se disa partnerë rajonalë i kanë thënë Pentagonit se nuk duan që avionët luftarakë izraelitë të fluturojnë mbi territoret e tyre ose trupat amerikane të nisin operacione sulmuese nga brenda ose mbi hapësirën e tyre ajrore.

Kërkesat e vendeve arabe mbeten joformale, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes. Që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza vitin e kaluar, vendet arabe kanë shtuar dhe hequr vazhdimisht kufizimet në operacionet amerikane, thanë zyrtarët e mbrojtjes.

Por këto vende ishin më të sigurta pasi lufta u zgjerua midis Izraelit dhe Iranit, duke përfshirë sulmet izraelite në Liban, thanë zyrtarët, bën me dije Wall Street Journal. 

Izrael: Hezbollahu planifikonte një sulm të ngjashëm me atë të Hamasit

Kur filloi operacionin e tij tokësor në Liban, Izraeli tha se qëllimi ishte të largonte grupin militant libanez Hezbollah nga kufiri, për të mundësuar më shumë se 60,000 banorë izraelit të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein, që kur ushtria izraelite hyri në Liban, trupat e saj kanë bërë disa zbulime shqetësuese.

Operacioni i trupave tokësore izraelite, që filloi javën e kaluar në Libanin jugor, zbuloi dhe shkatërroi një tunel të grupit Hezbollah që kalonte në Izrael. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se grupi militant libanez po planifikonte një sulm të ngjashëm me atë të Hamasit në Rripin e Gazës, që u bë shkak për fillimin e luftës një vit më parë.

“Ushtria izraelite ka gjetur brenda Libanit mijëra prova, tunele, automjete, pajisje të Hezbollahut në përgatitje për të dërguar njësitë e tij elitare, Brigadat ‘Radwan’, për të sulmuar Izraelin dhe për të masakruar izraelitët”, thotë Sarit Zehavi nga Qendra Studimore dhe Edukative ‘Alma’.

Zonja Zehavi thotë se katër njësitë e trupave tokësore izraelite po kërkojnë dhe shkatërrojnë gjithashtu rezervën e madhe të raketave me rreze të shkurtër veprimi të grupit Hezbollah. Ato, sipas saj, janë të fshehura nëpër fshatrat e Libanit jugor. Raketa të tilla mund të lëshohen nga supi i çdo luftëtari të grupit Hezbollah, dhe sistemi i mbrojtjes izraelite nuk mund t’i përgjojë ato.

Sulmi i Izraelit ndaj grupit libanez filloi muajin e kaluar me shpërthimet e biperave që vranë dhjetëra operativë të Hezbollahut dhe plagosën mijëra të tjerë.

Kjo u pasua nga sulmet ajrore në Bejrut që vranë drejtuesin e grupit, Hassan Nasrallah dhe shumicën e zyrtarëve të lartë të organizatës, një operacion që thuhet se ishte planifikuar për mbi një dekadë.

Në këto sulme u kuptua dobësia e grupit Hezbollah, sipas analistëve izraelitë.

“Thuhej se grupi Hezbollah kishte 180,000 raketa dhe se mund të lëshonte 1000 raketa çdo ditë që mund të godisnin në të gjithë territorin e Izraelit. Thuhej gjithashtu se është një organizatë shumë e fortë, por u befasua nga Izraeli”, thotë Eyal Zisser nga Universiteti i Tel Avivit.

Luftimet kanë sjellë pasoja të rënda në Liban. Qindra njerëz janë vrarë në sulmet ajrore izraelite.

Që nga fillimi i operacionit tokësor, rreth një milion libanezë janë zhvendosur.

“Unë i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë menjëherë për të garantuar tërheqjen e Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara libaneze dhe për t’i dhënë fund shkeljeve që përsëriten çdo ditë”, tha Najib Mikati, kryeministër i Libanit.

Izraeli thonë se qëllimi i operacionit ushtarak kundër grupit Hezbollah është të bëjë të mundur kthimin e më shumë se 60,000 izraelitëve të në shtëpitë e tyre, përgjatë kufirit verior.

Por disa analistë izraelitë thonë se kjo gjithashtu krijon mundësinë për të ndryshuar Libanin për të mirë.

“Kjo mund të jetë një mundësi për rimëkëmbjen e shtetit libanez, që Hezbollahu, me mbështetjen e Iranit, e ka paralizuar. Nëse Izraeli e dobëson Hezbollahun nga njëra anë, dhe të investohet në shtetin libanez nga ana tjetër, operacion mund të ketë një efekt pozitiv”, thotë Shira Efron nga Forumi Politik i Izraelit.

Mbështetja për grupin Hezbollah vjen nga mbrojtësi dhe financuesi i tij, Irani, i cili ka lëshuar mbi 500 raketa dhe dronë në dy sulme kundër Izraelit. Izraeli duket i gatshëm të hakmerret, ndoshta me sulme kundër objekteve bërthamore ose të naftës iraniane, të cilat mund të ndezin një luftë në shkallë të gjerë./VOA

BE-ja do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit

Bashkimi Evropian (BE) do të vendosë sanksione të reja kundër individëve dhe entiteteve të lidhura me Iranin në fillim të javës së ardhshme, burime të ndryshme i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) më 11 tetor.

Sipas tri burimeve evropiane që folën për REL-in në kushte anonimiteti, pritet që sanksionet të miratohen më 14 tetor dhe me shumë gjasë do ta përfshijnë edhe kompaninë ajrore iraniane, Iran Air.

Një burim theksoi se ambasadorët e BE-së tashmë e kanë dhënë dritën jeshile paraprake për këtë më 9 tetor.

"Po, sanksionet do të vendosen të hënën si përgjigje ndaj dërgesës dhe ka mundësi që më pas të ketë edhe sanksione sektoriale", i tha një burim tjetër RER-it, duke iu referuar transferimit të raketave balistike iraniane në Rusi.

Pas akuzave të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë ndaj Iranit për furnizimin e Rusisë me raketa para rreth një muaji, tri vendet evropiane njoftuan planet e tyre për të vendosur sanksione ndaj Iran Air, linjës ajrore shtetërore.

Në atë kohë, Ministria e Jashtme e Gjermanisë i tha REL-it se aleatët evropianë po punon mbi këtë çështje.

Iran Air kryen fluturime të drejtpërdrejta në disa qytete të Evropës, përfshirë Frankfurtin, Hamburgun, Këlnin, Parisin dhe Milanon.

Mundësia e sanksioneve të reja të BE-së vjen vetëm disa ditë pasi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, i tha RER-it se ishte "optimist" për marrëdhëniet e BE-së me Iranin.

Stano theksoi se marrëdhëniet e BE-së me Iranin "kanë qenë për një kohë të gjatë në pikën më të ulët" nënvizoi se arsyeja më freskët është mbështetja që Irani ia ka dhënë Rusisë në pushtimin e jashtëligjshëm të Ukrainës, duke e furnizuar me dronë dhe rishtazi edhe me raketa.

Shtypja në Iran, ndalimi arbitrar i qytetarëve të BE-së dhe pasurimi i uraniumit janë faktorë të tjerë që kanë bërë që marrëdhëniet e republikës islamike me BE-në të bëhen "të ndërlikuara" dhe "të ndjeshme", sipas Stanos./REL

Blinken: SHBA, përpjekje intensive për parandalimin e përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme

Ekipet libaneze të shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur pasi dy sulme izraelite goditën qendrën e Bejrutit të enjten, duke vrarë të paktën 22 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Goditja ajrore ishte më vdekjeprurësja në Bejrutin qendror në më shumë se një vit luftë. Gjendja në Lindjen e Mesme ishte në qendër të një takimi të vendeve aziatike në Laos, ku Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu shqetësimin për zgjerimin e konfliktit.

Sekretari Blinken tha të premten se ekzistojnë shqetësime të thella në fronte të ndryshme në Lindjen e Mesme.

“Ne vazhdojmë të jemi të angazhuar intensivisht për të parandaluar një konflikt më të gjerë në rajon, për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi, për të siguruar ndihmë për banorët e Gazës që kanë aq shumë nevojë për të dhe për t'i dhënë fund konfliktit, për të arritur një zgjidhje diplomatike në Liban, për të mbështetur të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër Iranit dhe grupeve terroriste që ai mbështet, për të gjetur një rrugë për të ndalur ciklin e dhunës dhe ndërmarrë hapa për një Lindje të Mesme më të integruar dhe më të begatë." 

Zoti Blinken foli nga Laosi, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Kryediplomati amerikan theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve mes luftimeve në Liban dhe Gazë dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara drejtpërdrejt me Izraelin në lidhje me plotësimin e nevojave humanitare të banorëve të Gazës.

Ndërsa Izraeli vazhdon të godasë Hezbollahun në Liban, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin libanezët që të marrin në dorë kontrollin e vendit të tyre.

“Është e qartë se populli i Libanit është shumë i interesuar që shteti i tij të afirmojë veten dhe të marrë përgjegjësinë për vendin dhe të ardhmen e tij. Ka dy vjet që vendi është pa president. Dhe ka rëndësi për popullin libanez që të ketë një kryetar shteti. Por këtë e vendosin libanezët dhe askush tjetër”, tha zoti Blinken.

Komentet e Sekretarit Blinken vijnë ndërsa Izraeli vazhdon operacionin në Liban. Forcat izraelite qëlluan të premten ndaj një kulle vrojtimi të përdorur nga paqeruajtësit e OKB-së në jug të vendit, duke plagosur dy vetë, tha një burim i OKB-së, dita e tretë me radhë që paqeruajtësit raportojnë për zjarr izraelit ndaj pozicioneve të tyre, ndërsa Izraeli vë në shënjestër Hezbollahun.

Duke ripërtërirë thirrjen e tij për një armëpushim, kryeministri i përkohshëm i vendit Najib Mikati tha se një sulm në qendër të Bejrutit të enjten vonë shkaktoi vdekjen e 22 civilëve dhe plagosjen e 139 të tjerëve.

Objektivi ishte një zyrtar i lartë i Hezbollahut - Wafiq Safa - i cili sipas tre burimeve të sigurisë, mbijetoi.

Izraeli ka paralajmëruar Libanin se nëse nuk merr masa kundër Hezbollahut, pasojat shkatërruese do të jenë të ngjashme si ato të Gazës, duke shtuar frikën për zgjerimin e mëtejshëm të luftës.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani iu bashkua sulmeve të Hamasit ndaj Izraeli vitin e kaluar dhe vazhdimisht ka goditur me raketa drejt territorit izraelit./VOA

Sulmet ajrore në Bejrut vrasin së paku 22 persona

Libani po e akuzon Izraelin për një sulm ajror që shkatërroi një ndërtesë të tërë, e ku së paku 22 persona kanë mbetur të vdekur.

Sulmet izraelite goditën dy objekte në një zonë me popullsi të dendur të Bejrutit qendror, thuhet në deklarimet e zyrtarëve libanezë, në atë që duket të ishte sulmi më vdekjeprurës në kryeqytetin e Libanit, në më shumë se një vit luftimesh midis Izraelit dhe Hezbollahut, njofton New York Times.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit raportoi se një nga sulmet kishte shënjestruar një ndërtesë tetë-katëshe në lagjen Ras el-Nabaa, ndërsa tjetra kishte rrafshuar një ndërtesë katër katë në lagjen Basta.

Videot e verifikuara nga New York Times shpërfaqin ndërtesën e shkatërruar, derisa objektet ngjitur të dëmtuara.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar këto sulme, por ajo ka vënë në shënjestër sistematikisht liderët dhe vendet e Hezbollahut në një fushatë të rëndë bombardimi në zonat e Bejrutit.

Këto sulme erdhën disa orë pasi zyrtarët e Kombeve të Bashkuara deklaruan se forcat izraelite kishin qëlluar mbi paqeruajtësit e OKB-së në Libanin jugor, duke plagosur dy prej tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat