Analistët për operacionet e Izraelit kundër Hezbollahut në Liban

Azia

Analistët për operacionet e Izraelit kundër Hezbollahut në Liban

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Izraeli ditët e fundit ka kryer sulme kundër militantëve të Hezbollahut në Bejrut, duke shkaktuar vrasjen e dhjetëra njerëzve dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara, administrata e Presidentit Biden thotë se mbështet sulmet e Izraelit kundër Hezbollahut, por nuk dëshiron që operacionet izraelite në Liban të shkaktojnë pasoja të ngjashme me ato në Rripin e Gazës.

Shkatërrimi është i ngjashëm, por ky është Bejruti, jo Gaza. Në përpjekje për të vrarë militantët, Izraeli ka filluar një fushatë me sulme ajrore në periferi të kryeqytetit libanez të kontrolluar nga Hezbollahu.

Ofensiva është një përshkallëzim i ri pas një viti përleshjesh mes Hezbollahut dhe Izraelit përgjatë kufirit, që tani është zgjeruar më thellë në Liban.

"Shumë njerëz po paguajnë një çmim të paimagjinueshëm, kemi mbi 2,000 të vrarë, shumë të tjerë të plagosur dhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur”, thotë Jeanine Hennis-Plasschaert, koordinatore e OKB-së për Libanin.

Administrata e Presidentit Biden thotë se është duke punuar për arritjen e një armëpushimi dhe nuk dëshiron ta shohë Libanin të kthehet në "një Gazë tjetër".

Megjithatë, ajo po mbështet përpjekjet izraelite për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut, që mbështetet nga Irani.

Këto qëllime nuk janë kontradiktore, i tha Zërit të Amerikës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

“Operacionet izraelite në Liban kanë në shënjestër militantët. Ne jemi duke biseduar për këtë dhe jemi të drejtpërdrejtë me qeverinë izraelite. Kjo do të vazhdojë”, tha ajo.

Ushtria izraelite tha të enjten se kishte vrarë dy komandantë të Hezbollahut përmes sulmeve ajrore. Por, disa ekspertë nuk janë dakord me vlerësimin se sulmet janë të sakta dhe kanë në shënjestër vetëm militantët.

“Është në rregull për administratën e Presidentit Biden të thotë se ata duan t'i japin Izraelit hapësirë për të sulmuar Hezbollahun dhe për të shkatërruar infrastrukturën e këtij grupi. Por problemi është se tani kemi një luftë të hapur kundër Libanit, një luftë pa fund që ka shkaktuar shumë viktima civile dhe zhvendosjen e një milion njerëzve. Kjo është një shifër e madhe, pothuajse një e katërta e popullsisë së këtij vendi”, thotë Mohamad Bazzi, drejtor i Qendrës për Studimin e Çështjeve të Lindjes së Afërt në Universitetin e Nju Jorkut.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara thanë të enjten se dy prej paqeruajtësve të saj, shtetas indonezianë, u plagosën nga sulmet izraelite në Libanin jugor.

"Sulmet pa dallim të ushtrisë izraelite kundër forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban, që shkaktuan plagosjen e dy prej paqeruajtësve tanë, tregojnë qartë se si Izraeli është pozicionuar mbi ligjin ndërkombëtar, në anën e pandëshkueshmërisë dhe mbi vlerat tona të përbashkëta të paqes", tha Hari Prabowo, zëvendës ambasador i Indonezisë në OKB.

Ndërsa Izraeli vazhdon sulmet në Liban , qeveria izraelite po diskuton mbi përgjigjen ndaj sulmit iranian me raketa balistike javën e kaluar.

Presidenti Biden i ka bërë thirrje Izraelit të mos sulmojë rafineritë iraniane të naftës për shkak të shqetësimeve nga vendet e Gjirit Persik se rafineritë e tyre të naftës më pas do të mund të sulmoheshin nga grupet e mbështetura nga Teherani.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit u zotua se përgjigja e vendit të tij do të jetë vdekjeprurëse dhe befasuese.

“Izraeli ka dëshmuar se ka shumë alternativa që mund t’i përdorë në përgjigjen ndaj Iranit. Izraeli ka dëshmuar gjithashtu se mund të veprojë kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara, gjithçka është e mundur”, thotë Natasha Hall nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Mediat shtetërore siriane raportuan gjithashtu se një sulm ajror izraelit shkaktoi vrasjen e të paktën shtatë civilëve të martën në Damask.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat