Kim Jong Un e quan Korenë e Jugut shtet të huaj armiqësor

Azia

Kim Jong Un e quan Korenë e Jugut shtet të huaj armiqësor

Më: 18 tetor 2024 Në ora: 13:30
Kim Jong Un

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka thënë të premten se Koreja e Jugut është shtet i huaj armiqësor, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Ajo publikoi fotografi të Kimit me ushtarë të rangut të lartë duke e analizuar një hartë të quajtur “Seul” në një post komandues.

Kimi diskutoi për përdorimin e “forcës së ofensive” kundër Jugut si hakmarrje për cdo lëvizje që cenon sovranitetin e Koresë së Veriut, sipas artikullit në KCNA, në të cilin nuk pati shpjegim se cfarë force mund të përdoret.

Një ditë më herët, Koreja e Veriut konfirmoi se Kushtetuta e saj e ndryshuar rishtazi e përcakton Korenë e Jugut si “vend armik” për herë të parë.

Kimi e ka kritikuar vazhdimisht Korenë e Jugut këtë vit, duke e akuzuar se po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për ta rrëzuar regjimin e tij.

Urdhri i Kimit në janar për ta rishkruar Kushtetutën befasoi shumë ekspertë të huaj, pasi u pa si një eliminim i idesë së shtetësisë së përbashkët ndërmjet Koreve të ndara nga lufta dhe si një shkëputje nga ëndrrat e paraardhësve të tij për të arritur paqësisht bashkimin e Koreve sipas kushteve të Veriut.

Ajo i shkatërroi lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Jugun këtë javë, po ashtu. Këto veprime nënvizojnë “jo vetëm ndarjen fizike, por edhe fundin e marrëdhënieve të dëmshme me Seulin”, e citoi KCNA Kimin të ketë thënë.

Seuli ka thënë se, nëse Koreja e Veriut shkakton dëme ndaj popullit të tij, “ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të koreanoverior”.

Kimi i bëri këto deklarata gjatë inspektimit të selisë së Korpusit të 2-të të ushtrisë koreanoveriore të enjten, tha KCNA. Kjo është njësi e madhe ushtarake që përfshin disa brigada të vendosura përpara me armë të rënda në drejtim të Koresë së Jugut.

“Kim po përpiqet t’i forcojë mentalisht ushtarët në vijën e parë me komentet e tij”, tha Yang Moo-jin, president i Universitetit të Studimeve për Korenë e Veriut në Seul.

“Kjo retorikë e ‘dy vendeve armiqësore’ është, në fund të fundit, strategjia e mbijetesës së Kim Jong Unit… Mos ndërhy, jeto veçmas si një vend armik. Është një rrugë që (Koreja e Veriut) nuk e ka ndjekur kurrë më parë, dhe askush nuk mund të jetë i sigurt për suksesin e saj”.

Tensionet mes dy Koreve janë rritur prej kur Veriu filloi të dërgonte balona me mbeturina përtej kufirit në Jug në fund të majit, duke e nxitur Seulin t’i përgjigjet me transmetime propagandistike me altoparlantë, gjë që e zemëroi Phenianin.

Koreja e Veriut ka rritur retorikën e saj armiqësore ditët e fundit, duke akuzuar ushtrinë e Jugut për dërgimin e dronëve mbi kryeqytetin e saj për tri ditë këtë muaj dhe kërcënoi me një “katastrofë të tmerrshme” nëse zbulon një tjetër dron mbi hapësirën e saj ajrore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat