Rreth 87 të vrarë apo zhdukur nga sulmet izraelite në Gazë, sipas zyrtarëve palestinezë

Azia

Rreth 87 të vrarë apo zhdukur nga sulmet izraelite në Gazë, sipas zyrtarëve palestinezë

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 12:36
Ndërtesa të rrënuara nga bombardimet izarelite në Xhabalia, në veri të Gazës.

Të paktën 87 njerëz janë vrarë apo zhdukur si pasojë e bombardimeve izraelite mbi shtëpi të shumta në veri të Rripit të Gazës gjatë mbrëmjes dhe mëngjesit të së dielës, tha Ministria e Shëndetësisë e enklavës palestineze.

Ajo tha se rreth 40 njerëz të tjerë janë plagosur në sulmet mbi qytezën Beit Lahia. Kjo qytezë ishte ndër të parat që u sulmua edhe kur Izraeli e nisi pushtimin tokësor të Gazës një vit më parë.

Ushtria izraelite nuk i ka komentuar sulmet deri tani, e cila tha megjithatë se është duke “vazhduar të veprojë nëpër Rripin e Gazës përmes bombardimeve ajrore dhe operacioneve tokësore”.

Izraeli është duke e kryer një operacion të madh në kampin e refugjatëve Xhabalia, i cili ndodhet në veri të Gazës, tash e dy javë.

Ushtria thotë se këtë operacion e nisi kundër militantëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur si terrorist nga SHBA dhe BE – për të cilët tha se janë rigrupuar atje.

Veriu i Gazës ka përjetuar shkatërrimin më të madh nga lufta dhe është i rrethuar nga ushtria e Izraelit prej vitit të kaluar, pas sulmit vdekjeprurës që Hamasi e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.

Izraeli e urdhëroi tërë popullsinë e veriut të Gazës të shpërngulej në jug në javët e para të luftës dhe këtë urdhër e përsëriti edhe në fillim të këtij muaji.

Shumica e banorëve ikën vitin e kaluar, por besohet se rreth 400.000 njerëz qëndruan në veri.

Palestinezët që u detyruan të shpërngulen nga veriu në fillim të luftës, nuk janë lejuar të kthehem më./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat