Vriten pesë ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Liban

Azia

Vriten pesë ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Liban

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Ushtria e Izraelit njoftoi të enjten vonë se pesë ushtarë të saj janë vrarë gjatë luftimeve në jug të Libanit, ku ajo ka disa javë që është duke i luftuar militantët e Hezbollahut.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Ushtria izraelite publikoi emrat e katër prej ushtarëve të vrarë, duke thënë në një komunikatë se ata “ranë gjatë luftimeve në Libanin jugor” të mërkurën.

Më vonë, ajo tha se një ushtar tjetër u vra të enjten gjithashtu në Libanin jugor.

Numri i ushtarëve izraelitë të vrarë duke luftuar në jug të Libanit është rritur në 27 prej se ushtria e nisi operacionin tokësor në fund të shtatorit, raportoi AFP bazuar në të dhënat e ushtrisë.

Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në fillim të luftës në Gaza.

Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.

Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.

Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për dhjetëra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.

Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 2.500 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat