Shtohen thirrjet për armëpushim pas sulmeve të Izraelit në Iran

Azia

Shtohen thirrjet për armëpushim pas sulmeve të Izraelit në Iran

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 16:44
Libani

Presidenti Joe Biden bëri thirrje të hënën që t'i jepet fund konfliktit në Lindjen e Mesme pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit të shtunën, që Uashingtoni tha se ishte një hakmarrje e justifikuar për sulmin iranian ndaj Izraelit në fillim të këtij muaji. Presidenti Biden gjithashtu i dha mbështetje një propozimi të ri egjiptian për një armëpushim dy-ditor.

Konflikti brutal në Lindjen e Mesme duhet të përfundojë, tha të hënën Presidenti amerikan Joe Biden, ndërsa operacionet e Izraelit në Gazë dhe Liban, që kishin në shënjestër militantët e mbështetur nga Irani, pasuan sulmin ndaj objektivave ushtarake në Teheran gjatë fundjavës.

Zoti Biden foli për konfliktin në Lindjen e Mesme ndërsa votoi të hënën dhe ofroi mbështetjen për propozimin e Presidentit të Egjiptit për një armëpushim dy-ditor.

"Ne kemi nevojë për një armëpushim. Ne duhet t'i japim fund kësaj lufte. Lufta duhet të marrë fund", tha ai.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara, përfshirë Kryeministrin britanik Keir Starmer janë dakord me thirrjen e Presidentit Biden.

"Unë jam i qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër agresionit iranian. Unë jam po aq i qartë se ne duhet të shmangim përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në rajon dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen. Irani nuk duhet të përgjigjet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të ulur tensionet në të gjithë rajonin”, tha ai.

Më pak i qartë është qëndrimi i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili mbajti një fjalim në Parlamentin e Izraelit të hënën.

“Të shtunën ne goditëm dhjetëra objektiva ushtarake në të gjithë Iranin. Kjo nuk është hera e parë që ne e kemi dëshmuar se ushtria jonë mund të godasë çdo vend, ku bëhet thirrje për shkatërrimin e Izraelit", tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha të hënën se Teherani do të përgjigjet.

“Ne do të përdorim të gjitha mjetet për një përgjigje vendimtare dhe efektive ndaj agresionit të regjimit zionist. Përgjigja jonë do të bazohet në llojin e sulmit izraelit", tha ai.

Departamenti i Shtetit paralajmëroi të hënën Iranin që të mos i përgjigjet sulmit të 26 tetorit nga Izraeli. Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo ishte një përgjigje ndaj sulmit iranian të 1 tetorit ndaj Izraelit. Zëdhënësi i Departamenti të Shtetit Matthew Miller paralajmëroi se nëse Irani do të përgjigjej, Shtetet e Bashkuara do të "vazhdonin të mbronin Izraelin."

Lidhur me situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës, zëdhënësi Miller shprehu kundërshtimin ndaj një ligji izraelit, që synon të ndalojë Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë.

"Ata tani luajnë një rol të pazëvendësueshëm në vijën e parë të frontit në Rripin e Gazës, duke dërguar ndihma humanitare për njerëzit në nevojë. Askush nuk mund t'i zëvendësojë ata tani në mes të krizës. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit që të heq dorë nga zbatimi i këtij ligji", tha ai.

Parlamenti i Izraelit me 92 vota pro dhe dhjetë kundër e miratoi ligjin të hënën.

Analistët nuk janë të sigurt se ky cikël dhune midis Iranit, grupeve të mbështetura nga Teherani dhe Izraelit do të ndalet.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i bëjnë këto thirrje dhe paralajmërime që Iranin të mos sulmojë Izraelin, por Teherani i injoron ato. Mendoj se Shtetet e Bashkuara i kanë dëmtuar masat e tyre frenuese ndaj Republikës Islamike. Nuk jam i sigurt se udhëheqja në Teheran i merr këto paralajmërime seriozisht”, thotë Jason Brodsky nga organizata “Të Bashkuar kundër një Irani me armë Bërthamore”.

Në Uashington, vëzhguesit po pyesin: A do të përfundojë kjo luftë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit?

Ndërsa njerëzit në zonat e konfliktit shtrojnë pyetjen: A do të jetojmë për të parë fundin e saj?/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat