Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ka dërguar një letër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke ngritur shqetësime lidhur me masën e fundit të Izraelit për të ndaluar agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, transmeton Anadolu.
“Jemi në kontakt me autoritetet izraelite”, u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se Guterres e ka dërguar letrën “disa orë më parë…duke përshkruar shqetësimet e tij”.
Letra, sipas Dujarric, trajton çështjet që lidhen me të drejtën ndërkombëtare të ngritura nga vendimi i ri izraelit.
Letra erdhi një ditë pasi parlamenti izraelit miratoi një projektligj që do të ndalon Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) të veprojë në vend. Ligji do të hyjë në fuqi pas 90 ditësh.
Ndalimi do të ndikojë në punën e UNRWA-së në Gaza, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
“Jemi në një fazë të hershme. Natyrisht, nëse zbatohet, është e qartë se do të ketë një ndikim shkatërrues në situatën humanitare të palestinezëve në territorin e pushtuar palestinez”, paralajmëroi Dujarric.
Kur u pyet nëse Guterres u përpoq të telefononte përsëri Netanyahun, Dujarric tha: “Në këtë pikë komunikimi bëhet me shkrim, sepse mendoj se është më i saktë”.
“Por, pa dyshim, nëse ka një mundësi për të folur, ata do të flisnin”, shtoi ai.
Guterres tha të hënën se zbatimi i ligjit “mund të ketë pasoja shkatërruese për refugjatët palestinezë në Territorin e Pushtuar Palestinez, gjë që është e papranueshme”.
“Nuk ka asnjë alternativë ndaj UNRWA-së”, tha Guterres në një deklaratë.