Japonia ka shprehur “shqetësim të madh” për vendimin e Izraelit për të ndaluar agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të sigurohet në mënyrë të qëndrueshme një mjedis i favorshëm për aktivitetet e ndihmës humanitare nga UNRWA-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Japonia i kërkon fuqimisht qeverisë së Izraelit të ruajë një mjedis të tillë në një mënyrë të qëndrueshme”, tha Ministria e Jashtme japoneze në një deklaratë të martën.
Ajo shprehu “shqetësim të thellë” për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës humanitare që “është tashmë e tmerrshme për shkak të luftimeve të zgjatura në Rripin e Gazës si dhe përkeqësimin e mëtejshëm të kushteve humanitare në zona, përfshirë Bregun Perëndimor dhe Libanin”.
Ministria tha se sigurimi i “neutralitetit” është thelbësor për agjencinë e OKB-së pasi ajo operon në një mjedis sfidues.
UNRWA-ja luan “rol të domosdoshëm në ofrimin e ndihmës humanitare si dhe kujdesin shëndetësor dhe edukimin për miliona refugjatë palestinezë jo vetëm në Rripin e Gazës, por në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme”, tha ministria.
Që nga viti 1953, Japonia ka kontribuar financiarisht në UNRWA dhe ka punuar ngushtë me agjencinë për të ndihmuar refugjatët palestinezë, shtoi ajo.
Parlamenti izraelit miratoi ligje të hënën që ndalojnë UNRWA-në të kryejë ndonjë aktivitet ose ofrimin e ndonjë shërbimi brenda Izraelit, përfshirë zonat e Kudsit Lindor të pushtuar, Gazës dhe Bregut Perëndimor.
Ligji do të hyjë në fuqi pas 90 ditësh.