Kong-rey, tajfuni më i madh që ka goditur Tajvanin në gati 30 vjet, ka rënë në bregun lindor të ishullit, si pasojë e të cilit janë lënduar mbi 70 persona dhe të paktën një ka vdekur, thanë autoritetet sot pasdite.
Një grua 56-vjeçare ka humbur jetën pasi një pemë ka përplasur një automjet në të cilin ajo ndodhej.
Në një moment përpara se të binte në tokë, tajfuni Kong-rey shkaktoi erëra me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë, duke e bërë atë të barabartë me një stuhi të kategorisë së katërt.
Shkollat dhe vendet e punës në të gjithë Tajvanin janë mbyllur. Qindra fluturime dhe tragete, së bashku me bursën e Tajvanit, janë pezulluar gjithashtu dhe gjysmë milion familje kanë mbetur pa energji elektrike, sipas Taiwan Power Company.
Është e pazakontë që një tajfun i madh të vijë kaq vonë gjatë vitit. Sezoni i tajfunit të Tajvanit, sipas agjencisë së motit të këtij vendi aziatik, në përgjithësi bie midis korrikut dhe shtatorit.
Për tetë dekadat e fundit të gjithë tajfunet më të fortë kanë ardhur brenda kësaj periudhe kohore. Por këtë vit dy stuhi të mëdha kanë goditur Tajvanin në tetor – tjetri është super tajfuni Krathon, i cili la të vdekur katër persona dhe mbi 700 të lënduar.
Shkencëtarët e oqeanit kanë raportuar nivele gati rekord të temperaturave globale të sipërfaqes së detit që nga korriku, që do të thotë se ka më shumë energji termike në sipërfaqen e oqeanit për të ushqyer sistemet e stuhisë.
Stuhia më vdekjeprurëse që goditi Tajvanin në dekadat e fundit ishte Morakot në gusht 2009, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut që lanë të vdekur rreth 900 persona.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit vendosi 36 mijë ushtarë në gatishmëri për përpjekjet e mundshme të shpëtimit. Rreth 8 mijë e 600 njerëz tashmë janë evakuuar nga zonat me rrezik të lartë, thanë autoritetet.
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin zonat e rrezikshme.
Kong-rey pritet të dobësohet ndërkohë dhe të largohet nga ishulli të premten, njoftoi agjencia e motit e Tajvanit.