Koreja e Veriut thotë se raketa e re që e testoi ishte Hwasong-19

Azia

Koreja e Veriut thotë se raketa e re që e testoi ishte Hwasong-19

Më: 1 nëntor 2024 Në ora: 08:49
Kjo fototografi e shkrepur më 31 tetor 2024 dhe e lëshuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve zyrtare (KCNA) më 1 nëntor 2024, tregon testimin e raketës së re balistike ndërkontinentale, Hwasong-19 (ICBM), në një vend të pazbuluar në Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut u përpoq t’i shfaqë muskujt duke e testuar një raketë të re balistike ndërkontinentale (ICBM) një ditë më parë. Mediat shtetërore të Veriut raportuan të premten se raketa e testuar ishte me lëndë djegëse të ngurtë, Hwasong-19.

Raketa e lëshuar të enjten fluturoi më lartë se çdo raketë koreanoveriore deri më sot, sipas Koresë së Veriut, por edhe sipas ushtrive të Koresë së Jugut dhe Japonisë, të cilat e gjurmuan fluturimin e saj drejt hapësirës, para se ajo të binte në oqean mes Japonisë dhe Rusisë.

Agjencia shtetërore të lajmeve e Veriut, KCNA e lartësoi atë si “raketa më e madhe strategjike në botë”.

Derisa vazhdon të ketë dyshime për aftësitë e Koresë së Veriut për ta drejtuar një raketë të tillë dhe për ta mbrojtur kokën e saj bërthamore teksa ajo futet në atmosferë, Hwasong-19, sikurse raketat më të fundit ICBM të Koresë së Veriut, dëshmoi se mund ta arrijë cakun pothuajse kudo në Shtetet e Bashkuara.

“Lloji i ri i ICBM-së dëshmoi para botës se pozita mbizotëruese, që e kemi siguruar në zhvillimin dhe prodhimin e mjeteve bërthamore të llojit të njëjtë, është plotësisht e papërmbysshme”, tha lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili e mbikëqyri testimin, tha KCNA.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia e identifikuan raketën si ICBM dhe e dënuan lëshimin e saj, duke thënë se rrit tensionet.

Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) thanë se Koreja e Veriut mund ta ketë testuar një raketë të re balistike me rreze të gjatë, të furnizuar me lëndë të ngurtë djegëse.

Zëdhënësi i JCS, Lee Sung Joon, tha se lëshimi mund të jetë bërë për t’i dhënë Koresë së Veriut një pozicion më të fortë në negociatat e ardhshme dhe se është planifikuar në kohë për zgjedhjet amerikane.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Sean Savett, e cilësoi lëshimin e raketës si "shkelje flagrante" të shumë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe tha se ajo "rrit tensionet pa nevojë dhe rrezikon destabilizimin e sigurisë në rajon".

Savett tha se SHBA-ja do t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e territorit amerikan dhe të aleatëve të saj, Koresë së Jugut dhe Japonisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat