Vazhdojnë luftimet në Gazë, dhjetëra të vrarë sipas njoftimeve palestineze

Azia

Vazhdojnë luftimet në Gazë, dhjetëra të vrarë sipas njoftimeve palestineze

Më: 1 nëntor 2024 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

Dyzet e shtatë palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, shumica prej tyre fëmijë dhe gra, nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës në Rripin e Gazës, njoftoi të premten agjencia palestineze e lajmeve WAFA.

Sulmet ndodhën në qytetin Deir Al-Balah, kampin Nuseirat dhe qytetin Al-Zawayda, tha njoftimi.

Ushtria izraelite tha se trupat e saj kishin identifikuar dhe eliminuar “disa terroristë të armatosur” në pjesën qendrore të Gazës dhe kishin eliminuar “dhjetëra terroristë” të tjerë gjatë sulmeve në zonën Jabalia, po ashtu në Gazën qendrore.

Lufta në Gazë filloi pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor para më shumë se një viti, duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë peng 250 të tjerë. Kundërpërgjigja ushtarake e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 42,400 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës. Ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin mijëra luftëtarë të Hamasit.

Grupi militant palestinez Hamas është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjerë.

Të paktën 46 palestinezë u vranë në sulmet izraelite në të gjithë Rripin e Gazës të enjten gjatë një sulmi që goditi një spital, duke djegur furnizimet mjekësore dhe duke ndërprerë operacionet, thanë zyrtarët shëndetësorë të Gazës.

Ushtria izraelite ka akuzuar grupin militant palestinez Hamas për shfrytëzimin e spitalit Kamal Adwan për qëllime ushtarake dhe tha se “dhjetëra terroristë” janë fshehur aty. Zyrtarë shëndetësorë dhe grupi militant palestinez e mohojnë këtë.

Ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës u bëri thirrje të gjitha organizatave ndërkombëtare “të mbrojnë spitalet dhe stafin mjekësor nga sulmet e okupatorit (Izraeli)”.

Organizata ‘Mjekët pa Kufij’ tha të enjten se një nga mjekët e saj në spitalin ‘Kamal Adwan’, Mohammed Obeid, ishte arrestuar të shtunën nga forcat izraelite. Ajo bëri thirrje për mbrojtjen e tij dhe të gjithë stafit mjekësor që “po përballen me dhunë të tmerrshme ndërsa përpiqen të ofrojnë kujdes mjekësor”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat