Një kinez, i sëmurë rëndë, u shty nga familja deri në një degë të një banke lokale mbi një shtrat spitali për të konfirmuar identitetin e tij për një transferim parash.
Një video që është bërë virale në rrjetet sociale kineze tregon një grua që përpiqet të shtyjë një burrë mbi një shtrat spitali brenda një banke në provincën Shandong, pasi i kishin thënë se e vetmja mënyrë për të pasur qasje në llogarinë e tij ishte të konfirmohej identiteti në mënyrë personale.
Pavarësisht se ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, menaxheri i bankës i tha familjes se e vetmja mënyrë për të hyrë në llogari ishte që ai të paraqitej vetë.
Burri ishte aq i sëmurë sa nuk mund të lëvizte, por edhe prova të hospitalizimit nuk bindën stafin e bankës, kështu që familja u detyrua të gjente një mënyrë për ta çuar në bankë për të konfirmuar identitetin, shkruan odditycentral.
Banka në Shandong i tha familjes se mund ta sillnin zotërinë në një ambulancë, por spitali i informoi se ambulancat e tyre ishin të disponueshme vetëm për raste urgjente shëndetësore, dhe ata nuk mund të përballonin një ambulancë private, kështu që e vetmja zgjidhje e mundshme ishte ta shtynin shtratin e tij deri te banka.
Familjarët e burrit të sëmurë raportohet se kishin nevojë për para për të paguar trajtimin e tij, por ironikisht, e vetmja mënyrë për t’i marrë ato para ishte duke rrezikuar jetën. Një grua e re, që besohet të jetë vajza e tij, shihet në video duke u përpjekur të shtyjë shtratin e tij të spitalit deri te sporteli i bankës, duke u përpjekur të mos përplasë asgjë.
Ky skenar ndezi një debat të ashpër në internet, ku shumica e përdoruesve të rrjeteve sociale pohuan se banka mund të kishte bërë një përjashtim duke marrë parasysh provat e hospitalizimit të paraqitura nga familja e burrit, ndërsa të tjerë e cilësuan këtë ngjarje si një turp për shoqërinë kineze që ndodhin raste të tilla pa pasoja të mëtejshme.