Të paktën 8 të vrarë në veri të Libanit pas një sulmi izraelit

Azia

Të paktën 8 të vrarë në veri të Libanit pas një sulmi izraelit

Më: 11 nëntor 2024 Në ora: 22:18
Një ndërtesë e shkatërruar nga sulmet izraelite në jug të Libanit më 3 nëntor 2024.

Një sulm ajror izraelit ka shkatërruar një shtëpi në veri të Libanit, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur 14 të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit më 11 nëntor.

Ekipet e shpëtimit dolën në vendngjarje për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja, raportoi media shtetërore e Libanit.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar për këtë sulm dhe është e paqartë se cili ishte caku i tij.

Sulmi goditi fshatin Ain Jakub në rajonin Akar, në veri të Libanit, që është shtëpi e komuniteteve të grekëve ortodoksë dhe myslimanëve sunitë.

Po ashtu, zona e shënjestruar gjendet larg nga zonat ku ka ndikim Hezbollahu – grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – në jug dhe lindje të Libanit.

Të hënën, edhe një sulm tjetër izraelit goditi një ndërtesë banimi në jug të Libanit, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Ushtria izraelite tha se 190 raketa ishin gjuajtur nga Libani të hënën, teksa ekipet e shpëtimit thanë se pesë persona u plagosën nga këto sulme.

Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – tetorin e vitit të kaluar, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi.

Ndërkaq, Izraeli ka sulmuar caqe thellë brenda Libanit, që kur nisi ofensivën tokësore kundër Hezbollahut në fund të shtatorit.

Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat