Të rinjtë aktivistë kundërshtojnë tregtinë e Turqisë me Izraelin

Azia

Të rinjtë aktivistë kundërshtojnë tregtinë e Turqisë me Izraelin

Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 19:33
Protesta

Një grup të rinjsh aktivistë në Turqi, të njohur si ‘1000 të Rinjtë për Palestinën’, po i bëjnë një sfidë të rrallë dhe të fuqishme Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, duke përdorur mediat sociale për të ekspozuar tregtinë e Turqisë me Izraelin. Presidenti Erdogan pati deklaruar publikisht se ka vendosur një embargo të rreptë për tregtinë me Izraelin, për shkak të luftës në Gazë. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, mesazhi i këtij grupi të rinjsh tejkalon ndasitë e thella politike, sociale dhe fetare të Turqisë.

Protesta më e fundit në Stamboll, nga organizata ‘1000 të Rinj për Palestinën’ ishte në lidhje me vrasjen nga forcat e sigurisë izraelite të aktivistes turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi.

Por krahas kritikave ndaj Izraelit, demonstruesit kritikuan edhe Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për vazhdimin e tregtisë së Turqisë me Izraelin.

"Gjendem këtu për ta detyruar qeverinë turke që të ndalë tregtinë e naftës me Izraelin dhe që të ndalet gjenocidi. Kjo nuk është vetëm një kërkesë publike. Është gjithashtu një detyrim ligjor për Turqinë që ta ndalë gjenocidin", thotë Gulsum, aktiviste me organizatën “1000 të Rinj për Palestinën”.

Ky grup i krijuar nga studentët, që nga fillimi i fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë, ka kritikuar eksportin e naftës nga Azerbajxhani për në Izrael, nëpërmjet një porti turk. Aktivistët po protestojnë edhe për lidhjet tregtare të vazhdueshme të kompanive turke me Izraelin, pavarësisht embargos që është zyrtarisht në fuqi.

Grupi përdor mediat sociale për të transmetuar mesazhin e tij, duke anashkaluar mediat e kontrolluara nga qeveria.

Aktivistët thonë se fushata e tyre është forcuar nga shumëllojshmëria e grupit të tyre.

"Kur bëhet fjalë për Palestinën, është një histori që na bashkon të gjithëve. Pra, ne jemi një grup që mund të pajtohemi lehtësisht se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje. Ka nga ata që e përkufizojnë veten si socialistë dhe nga ata që e përkufizojnë veten si islamistë. Ka edhe të rinj apolitikë që thonë: ‘Nuk më pëlqen politika’, por prapë bashkohen me ne”, thotë studentja Gizem, aktiviste me grupin “1000 të Rinj për Palestinën”.

Policia u është kundërvënë protestave. Një emision i drejtpërdrejtë në kanalin televiziv shtetëror, ku diskutohej rreth Izraelit, u ndërpre nga aktivistët e këtij grupi. Në vazhdim u arrestua një aktivist palestinez, i cili tani përballet me rrezikun e dëbimit.

Incidenti shkaktoi protesta të tjera.

Arrestimi i protestuesve që janë islamistë, thonë analistët, ka të ngjarë ta vendosë në pozita të vështira Presidentin Erdogan dhe të largojë mbështetësit e tij fetarë.

Analistët e akuzojnë Presidentin Erdogan për shfrytëzimin e ndasive të thella mes turqve laikë dhe ata fetarë dhe thonë se diversiteti i grupit përbën një problem për të.

"Grupe të tilla hibride po bashkohen, për shkak të një kauze, qoftë nga pikëpamja ideologjike ose nga ana tjetër, sociale, klasore; ato mund të jenë shumë të ndryshme dhe kjo është diçka kërcënuese për qeverinë", thotë Sezin Oney, komentuese në portalin e lajmeve ‘PolitikYol’.

Presidenti Erdogan pësoi humbje të mëdha në zgjedhjet e fundit lokale; humbje për të cilat fajësohet gjerësisht ekonomia e varfër, por edhe zemërimi i krijuar për tregtinë e Turqisë me Izraelin.

Aktivistët thonë se shpresojnë të përfitojnë nga kjo.

"Arsyeja e suksesit tonë është se po prekim temën e duhur. Po ekspozojmë hipokrizinë, ekspozojmë hipokrizinë e kapitalistëve, korporatave dhe qeverisë", thotë aktivisti Murat.

Siç e shohin analistët, shumëllojshmëria e këtij grupi përbën padyshim një sfidë për Presidentin Erdogan dhe që nuk do të kalojë për sa kohë që lufta në Gazë – dhe angazhimi i Turqisë me Izraelin – do të vazhdojë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat