Media shtetërore libaneze njoftoi se trupat tokësore izraelite kishin depërtuar në pikën më të thellë brenda territorit të Libanit, që kur nisën sulmin 6 javë më parë, përpara se sa të zmbrapseshin pas luftimeve të ashpra me militantët e Hezbollahut.
Sipas këtyre njoftimeve, të shtunën herët, trupat izraelite arritën të marrin nën kontroll një pikë strategjike në zonën jugore të Libanit, Chamaa, pranë kufirit me Izraelin.
Më vonë, sipas raportimeve të medias, trupat izraelite u tërhoqën nga kjo zonë.
Ushtria izraelite tha përmes një deklarate se trupat e saj “vazhduan operacionet e kufizuara dhe me objektiv të saktë në jug të Libanit”. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesave për koment lidhur me njoftimet nga mediat libaneze.
Ky depërtim më në thellësi të territorit vjen ndërsa Izraeli ndërmori të premten sulme ajrore në zonat periferike në jug të Bejrutit dhe zona të tjera dhe ndërsa zyrtarë të Libanit dhe Hezbollahut po shqyrtojnë një projekt-propozim që u është paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës.
Që nga fundi i shtatorit, Izraeli ka ashpërsuar sulmet në Liban, duke u zotuar për shkatërrimin e Hezbollahut.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, më shumë se 3400 vetë janë vrarë në Liban nga sulmet izraelite, 80 për qind prej tyre, përgjatë një periudhe 8-javore./VOA