Udhëheqësit e Hamasit u larguan nga Katari, por zyrën nuk e mbyllën në Doha

Azia

Udhëheqësit e Hamasit u larguan nga Katari, por zyrën nuk e mbyllën në Doha

Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 16:27
Foto ilustrim

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit deklaroi sot se udhëheqësit e Hamasit janë larguar nga Doha, por mohoi raportimet se Katari ka urdhëruar mbylljen e përhershme të zyrës politike të kësaj organizate ekstremiste palestineze dhe dëbimin e drejtuesve të saj nga kryeqyteti i Katarit.

Ky i fundit, i cili ka shërbyer si ndërmjetës në bisedimet e tërthorta për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh për të burgosur palestinezë midis Izraelit dhe Hamasit, ka pezulluar këto përpjekje për shkak të pakënaqësisë në rritje për mungesën e përparimit.

“Nëse ka ndonjë vendim për mbylljen e përhershme të zyrës, do ta dëgjoni këtë lajm këtu ose në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha sot për gazetarët zëdhënësi i Katarit, Madzhid bin Muhamed al-Ansari, shkruan reuters.

“Udhëheqësit e Hamasit që janë pjesë e ekipit negociator nuk janë aktualisht në Doha dhe, siç e dini, ata lëvizin midis kryeqyteteve të ndryshme. Zyra në Doha u krijua për procesin e ndërmjetësimit – është e qartë se kur nuk ka proces ndërmjetësimi, zyra nuk ka asnjë funksion”, tha Al-Ansari.

Ai nuk tregoi se ku janë larguar udhëheqësit e Hamasit dhe nuk e përjashtoi mundësinë që Doha të rikthehet në rolin e saj si ndërmjetës.

“Pezullimi i përpjekjeve negociuese në asnjë mënyrë nuk nënkupton që ka një qëndrim të Katarit për t’u tërhequr nga përpjekjet për de-përshkallëzim ose që ka një ndryshim në pozicionin e shtetit të Katarit në lidhje me nevojën për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha zëdhënësi.

Ndryshe, Hamasi është një prej dy fraksioneve kryesore të Palestinës, së bashku me Fatah.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat