Hong Kongu dënon me burg aktivistët pro demokracisë

Azia

Hong Kongu dënon me burg aktivistët pro demokracisë

Më: 19 nëntor 2024 Në ora: 21:11
Partullat e policisë përpara godinës së gjykatës në Hong Kong

Gjykata e Lartë e Hong Kongut të martën dënoi me deri në 10 vite burg 45 aktivistë nën akuzat për përpjekje për të rrëzuar qeverinë, në një prej çështjeve më të mëdha gjyqësore, që lidhet me sigurinë kombëtare në bazë të një ligji të imponuar nga Pekini që përfshin masa drastike.

 

Dënimet e shqiptuara u dënuan nga shumë shtete. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kombet e Bashkuara u bënë thirrje autoriteteve kineze dhe atyre në Hong Kong të ndalojnë përndjekjen mbi motive politike të banorëve të Hong Kongut.

Aktivistët u akuzuan se ishin pjesë e një komploti për të rrëzuar qeverinë për shkak të pjesëmarrjes së tyre në një proces zgjedhor jozyrtar që synonte të bënte përzgjedhjen e kandidatëve opozitarë, të cilët planifikonin të garonin në zgjedhjet për këshillin legjislativ në vitin 2020.

Autoritete i akuzuan aktivistët se po planifikonin të paralizonin punën e qeverisë së Hong Kongut dhe synonin ta detyronin udhëheqësin e ishullit të jepte dorëheqjen përmes sigurimit të shumicës në kuvend, të cilën do ta shfrytëzonin për ta bllokuar buxhetin e qeverisë.

Dyzetepesë të akuzuarit u dënuan me 4 vite e dy muaj deri në 10 vite burg. Studiuesi ligjor Benny Tai, të cilin qeveria e konsideron si ideatorin e kësaj skeme, mori dënimin më të madh.

Analistët thanë se dënimet pasqyrojnë zhdukjen e shpejtë të të drejtave dhe lirive thelbësore në Hong Kong që nga imponimi i ligjit për sigurinë kombëtare në vitin 2020.

“Këto dënime të ashpra ndaj dhjetëra aktivistëve kryesorë të demokracisë pasqyrojnë regresin e shpejtë të lirive qytetare dhe pavarësisë ligjore në Hong Kong gjatë katër viteve të fundit, që kur qeveria kineze imponoi Ligjin drastik të Sigurisë Kombëtare”, deklaroi Maya Wang, ndihmës-drejtore e organizatës “Human Rights Watch” për Kinën.

Disa ish politikanë pro-demokracisë në Hong Kong thanë se kjo çështje tashmë ka mbyllur çdo hapësirë për debat të rëndësishëm politik dhe pjesëmarrje në sferën publike.

“Që prej arrestimit të tyre në vitin 2021, nuk ka më protesta e as debat publik në Hong Kong”, i tha Zërit të Amerikës ish ligjvënësja e demokracisë Debby Chan.

Ekspertët thonë se ky rast do të kufizojë edhe më shumë veprimtarinë e shoqërisë civile, duke vështirësuar pjesëmarrjen politike në këtë qytet.

Disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, publikuan deklarata duke dënuar vendimin e së martës.

“Të akuzuarit u përndoqën në mënyrë agresive dhe u burgosën për pjesëmarrjen e tyre paqësore në një aktivitet normal politik, të mbrojtur në bazë të ligjit themelor të Hong Kongut”, i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Britania tha se dënimi është “provë e qartë që autoritetet e Hong Kongut po përdorin ligjin mbi sigurinë për të goditur disidencën politike”.

“Ata që u dënuan sot po ushtronin të drejtën e tyre të fjalës së lirë, të tubimit dhe të pjesëmarrjes politike”, tha ministrja britanike për Indo-Paqësor, Catherine West.

Duke iu përgjigjur këtyre kritikave, Ministria e Jashtme kineze tha se askush nuk duhet të lejohet ta përdorë demokracinë si shkas për “t’u angazhuar në veprimtari të jashtëligjshme dhe për t’iu shmangur drejtësisë”.

Autoritetet kineze dhe ato të Hong Kongut këmbëngulin se ligji mbi sigurinë kombëtare është një mjet për të vendosur rendin pas protestave gjithëpërfshirëse të demokracisë në vitin 2019. Ata thonë se aktivistët ishin trajtuar në përputhje me ligjin vendor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat