Benjamin Netanyahu deklaroi se për lirimin e çdo personi të mbajtur ende peng nga Hamasi që prej rrëmbimit në vazhdën e sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, do të ketë një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Ofertën e shpërblimit, kryeministri izraelit e përcolli gjatë një vizite të shkurtër në Gaza, ku u shfaq në atë që njihet si korridori Netzarim, në krah të trupave të ushtrisë së vendit të tij. Netzarimi është kthyer sot në një nga rrugë-kalimet kryesore në territor, si edhe në një zonë të sigurt tampon të kontrolluar nga ushtria izraelite, që ndan pjesën veriore dhe atë jugore të enklavës.
“Kushdo që do të na sjellë një peng, do të ketë një rrugëdalje të sigurtë për veten dhe për familjen e tij. Për secilin nga pengjet, ne jemi të gatshëm të japim 5 milionë dollarë. Zgjedhja është e juaja, por rezultati do të jetë i njëjtë: Ne do t’i kthejmë të gjithë,” u zotua shefi i ekzekutivit izraelit. Shteti hebre llogarit që të ketë ende 101 pengje në Gaza, edhe pse dyshohet se gati një e treta e tyre mund të kenë vdekur.
Netanyahu deklaroi po ashtu se Hamasi nuk do ta qeverisë territorin palestinez pasi lufta të ketë përfunduar dhe insistoi se Izraeli i ka shkatërruar aftësitë ushtarake të grupit islamik. Gjatë ditës së sotme sakaq, forcat izraelite vranë të paktën 15 palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë një punonjës shpëtimi.
Sipas mjekëve lokalë, 12 nga viktimat kanë qenë në të njëjtën godinë banimi. 10 persona atje janë zhdukur dhe përpjekjet e shpëtimit, po vazhdojnë.