Zyrtarët izraelitë: Marrëveshja për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, “brenda ditësh”

Azia

Zyrtarët izraelitë: Marrëveshja për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, “brenda ditësh”

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 16:13
Sulmet ajrore izraelite në Dahijeh, në Bejrut, të hënën më 25 nëntor, 2024

Ambasadori izraelit në Uashington tha sot se një marrëveshje armëpushimi, që do t’i jepte fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban mund të arrihet “brenda ditësh”. Ambasadori Mike Herzog tha se kanë mbetur ende “disa pika për t’u finalizuar”. Deklarata e tij vjen ndërkohë që Izraeli dhe Hezbollahu kanë intensifikuar sulmet.

Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen sulme të ashpra ndaj njëri-tjetrit gjatë fundjavës. Izraeli sulmoi periferitë jugore të Bejrutit pas sulmeve me 250 raketa të Hezbollahut në pjesët veriore e qendrore të Izraelit.

Sulmet me intensitet të shtuar po ndodhin në një kohë kur trysnia ndërkombëtare është shtuar për arritjen e një marrëveshje armëpushimi që do t’i jepte fund luftës dhe do t’i largonte Izraelin dhe Hezbollahun nga pjesa jugore e Libanit.

Ambasadori i Izraelit në Uashington, Mike Herzog i tha Radios së Ushtrisë të hënën se palët janë “afër një marrëveshjeje” dhe se ajo mund “të arrihet brenda ditësh”.

Një deklarate të ngjashme e bëri edhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell gjatë vizitës në Bejrut.

“Duhet t’i bëjmë trysni qeverisë izraelite dhe Hezbollahut që të pajtohen me propozimin amerikan për armëpushim. Ka marrëveshje. Ky propozim po pret miratimin final të qeverisë izraelite”, deklaroi ai.

Shpresat për arritjen e një marrëveshjeje erdhën pas vizitës së javës së kaluar nga ndërmjetësi amerikan Amos Hochstein. Sipas propozimit, fillimisht palët do të angazhohen për një armëpushim dy mujor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen nga Libani, ndërsa Hezbollahu do të largojë forcat e tij të armatosura përgjatë kufirit jugor.

Sipas propozimit, tërheqja reciproke të trupave të armatosura do të pasohet nga vendosja e mijëra ushtarëve libanezë për të vëzhguar këtë kufi krahas forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, që vepron atje.

Në mesin e çështjeve që ende po negociohen janë kërkesa e Izraelit për të rezervuar të drejtën që të veprojë nëse Hezbollahu shkel detyrimet e përcaktuara në marrëveshje.

Ndërkohë në një intervistë për televizionin amerikan Fox, Mike Waltz, i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e tij të ardhshme, duke kritikuar tërthorazi administratën e tanishme, tha se zoti Trump do të synojë arritjen e “marrëveshjeve paqësore” në Lindjen e Mesme të ngjashme me Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat u negociuan në mes Izraelit dhe shteteve arabe.

“Vetëm para katër vitesh patëm marrëveshje paqësore në Lindjen e Mesme që u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë. Shikoni ku jemi sot. Jam i bindur se Presidenti Trump, aftësitë e tij udhëheqëse dhe ekipi që ai po përzgjedh, do të na kthejnë në atë pikë shumë shpejt”, deklaroi ai.

Propozimi aktual për armëpushim parasheh edhe themelimin e një komisioni ndërkombëtar për të vëzhguar zbatimin e marrëveshjes dhe rezolutat paraprake të OKB-së.

Në këtë komision pritet të jetë e pranishme edhe Franca, përkundër kundërshtimeve të Izraelit pas mbështetjes që zyrtarët francezë i dhanë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhërarrestin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat