Ushtria pakistaneze ka dislokuar trupa në Islamabad, teksa mijëra protestues që po kërkojnë lirimin e ish-kryeministrit Imran Khan, refuzuan që të anulojnë marshin e tyre në kryeqytet pas përplasjeve me forcat e sigurisë.
Ushtria raportohet se ka pranuar urdhra më 26 nëntor që të qëllojë menjëherë, pas vdekjes së të paktën tre pjesëtarëve të policisë gjatë një incidenti gjatë natës. Dhjetëra zyrtarë policorë u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit dhe disa nga ta kanë lëndime serioze.
Forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës dhe përdorën plumba gome ndaj protestuesve të Khanit pasi mijëra protestues kaluan bllokadat rrugore dhe marshuan rreth 150 kilometra nga veriperëndimi drejt Islamabadit, pavarësisht se autoritetet kanë vendosur orë policore dhe kanë ndaluar tubimet publike.
Në Islamabad, ora policore ësht në fuqi nga 23 nëntori dhe shërbimet e internetit janë ndërprerë në mënyrë sporadike.
Administrata e qytetit të Islamabadit njoftoi javën e kaluar për një ndalesë dymujore për tubime publike, por autokolonat me mbështetësit e Khanit udhëtuan nga provinca veriperëndimore e Kiber Pakhtunkvas, të vendosur që të hynin në qytet.
Zyrtarët e sigurisë thanë se presin mes 9.000 deri në 11.000 protestues, ndërkaq partia e Khanit, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI), tha se numri i protestuesve do të jetë shumë më i lartë. Video të shpërndara në rrjete sociale shfaqën mbështetësit e Khanit duke bartur gazmaska dhe syze mbrojtëse.
Udhëheqja e partisë së Khanit vazhdoi me planet e saj për të udhëtuar drejt kryeqytetit, edhe teksa presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, mbërriti për një vizitë treditore. Ai u prit në një aeroport afër kryeqytetit nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në orët e vona të 25 nëntorit.
Ndërkohë, Qeveria po zhvillon bisedime me partinë e Khanit për të shmangur dhunën e mëtejme, thanë zyrtarët.
Ministri i Brendshëm, Mohsin Naqvi, u tha gazetarëve se Qeveria pakistaneze është e gatshme të lejojë mbështetësit e Khanit që të mblidhen në periferi të Islamabadit, por ai kërcënoi me masa ekstreme nëse ata hyjnë në qytet për të protestuar.
Khan, 72-vjeçar, ka qenë në burg për më shumë se një vit dhe përballet me më shumë se 150 raste penale, megjithatë ai gëzon popullaritet të madh në mesin e pakistanezëve. PTI-ja ka thënë se rastet kundër Khanit janë të motivuara politikisht.
PTI-ja ka sfiduar fushatën shtypëse të Qeverisë që kur Khan u ndalua që të garojë në zgjedhjet e shkurtit. Partia ka organizuara rregullisht protesta, të cilat synojnë të marrin nën kontroll hapësira publike në Islamabad dhe në qytete të tjera të mëdha.
Kërkesa kryesore e PTI-së është lirimi i Khanit, i cili ka shërbyer si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022.
Partia po proteston gjithashtu kundër manipulimeve të pretenduara në zgjedhjet e shkurtit dhe po ashtu kundër një amendamenti kushtetues të ndryshuar së fundi, që i jep gjykatave më shumë fuqi.
Qeveria e Sharifit gjithnjë e më shumë po përballet me kritika lidhur me përdorimin e masave të ashpra për të shtypur protestat e PTI-së.
Protestat gjerësisht kanë shkëputur Islamabadin nga pjesa tjetër e shtetit, pasi udhëtimet drejt pjesëve të tjera të Pakistanit pothuajse janë ndaluar plotësisht.
Autostrada kryesore, Grand Trunk, në provincën Punxhab është bllokuar nga autoritetet me kontejnerë transporti, duke i detyruar protestuesit të përdorin makineri të rënda për t’i hequr kontejnerët./REL