Izraeli e mbajti lart presionin ndaj Hezbollahut në Liban me bombardime masive në qendrën e Bejrutit. Më pas në mbrëmje kabineti i luftës miratoi marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga amerikanët. Duke njoftuar marrëveshje në televizion, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të krijojë kushtet për kthimin e të gjithë qytetarëve në veri pranë kufirit të Libani.
Ai u zotua gjithashtu të kthejë të gjithë pengjet që mbahen në Gaza pa iu referuar ndonjë marrëveshjeje armëpushimi me Hamasin.
“Qytetarë të Izraelit, ju premtova fitoren dhe ne do ta arrijmë atë. Do të eliminojmë Hamasin, do të kthejmë të gjithë pengjet, do të sigurojmë që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin dhe do t’i kthejmë banorët e veriut të sigurt në shtëpitë e tyre. Lufta nuk do të përfundojë derisa t’i arrijmë të gjitha qëllimet.”
Kryeministri pretendoi se kapacitetet e Hezbollahut janë shkatërruar dhe se Izraeli po i ndryshon faqen Lindjes së Mesme. Kryeministri u zotua se Izraeli do të sulmojë menjëherë nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen, përfshirë nëse riarmatoset. Energjitë tani do të fokusohen tek Irani dhe eliminimi i Hamasit në Gaza.
Marrëveshja erdhi edhe pas humbjeve kolosale të Izraelit gjatë inkursionit tokësor në Liban. Qindra mijëra trupa thuhet se janë vrarë në luftë me Hezbollahut.
Edhe pas fjalimit të Netanyahut, në Bejrut u dëgjuan sërish bombardime nga Izraeli. Më vonë nga Shtëpia e Bardhë foli presidenti Joe Biden, që vazhdimisht ka bërë presion për një marrëveshje, jo vetëm me Hezbollahun në Liban, por edhe me Hamasin në Gaza. Përpjekjet e tij u sabotuan nga Trump.
“Marrëveshja e armëpushimit detyron trupat izraelite të tërhiqen nga Libani Jugor ku do të dislokohet ushtria libaneze. Ndërsa Hezbollahu do t’i japë fund pranisë së tij të armatosur përgjatë kufirit në jug të lumit Litani.”
Zëdhënësi i OKB-së Farhan Haq tha se forcat paqeruajtëse të OKB-së në Libanin Jugor, të njohura si UNIFIL, dhe koordinatori i posaçëm i OKB-së “janë gati për të zbatuar” armëpushimin. Ai shtoi se OKB-ja është “seriozisht e shqetësuar” për bombardimet intensive izraelite në Liban.
Disa nuk e pëlqyen marrëveshjen dhe protestuan kundër saj.Kryeministri i Libanit Najib Mikati i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “veprojë me shpejtësi” dhe “të zbatojë menjëherë armëpushimin.”
Para shpalljes së marrëveshjes së armëpushimit, ushtria izraelite goditi qendrën e Bejrutit dhe zonën përreth tij. Ishin disa prej bombardimeve më intensive të luftës duke detyruar mijëra qytetarë të largohen nga kryeqyteti në panik.
Sulmet ajrore goditën në zemër të Bejrutit pas një sërë paralajmërimesh evakuimi, të parat për zonën gjatë luftës. Disa minuta më vonë, filluan sulmet ajrore, duke mos u lënë mjaftueshëm kohë për evakuimin e banorëve. Zonat e shënjestruara përfshinë lagje luksoze në bregdetin e Bejrutit, pranë selisë së Universitetit Amerikan. Rrugët shpejt u bllokuan nga trafiku ndërsa njerëzit u përpoqën të dilnin.
Libani Jugor, ku Izraeli është përfshirë në një ofensivë tokësore, gjithashtu përjetoi sulme të rënda gjatë gjithë ditës që vranë të paktën tetë vetë, përfshirë fëmijë.