Reshje të dendura bore goditën Korenë e Jugut për të dytën ditë radhazi, duke shkaktuar të paktën katër të vdekur shumica në provincën Gyeonggi si dhe ndërprerje të rënda të transportit në mbarë vendin.
Vetë kryeqyteti Seul u përball me reshjet e treta më të mëdha të borës të regjistruara ndonjëherë atje që nga fillimi i regjistrimeve. Në disa pjesë të qytetit, trashësia e borës kapërceu 40 centimetrat, më shumë se 140 fluturime u anuluan e po kështu u ndërpre dhe shërbimi i mbi 100 trageteve në 79 linja. Shkollat në provincën e Gyeonggi morën lejë sot për t`u mbyllur në rast se kjo do të konsiderohej e nevojshme.
Një person vdiq dhe dy u plagosën në një sallë të mbyllur golfi ku një rrjetë mbajtëse e tejmbushur me borë u rrëzua. Një tjetër humbi jetën nga një shembje e ngjashme e një tende mbrojtëse në një park makinash, ndërsa dy viktimat e tjera vdiqën në aksidente trafiku në autostradat në lindje të kryeqytetit, aksidente këto që u lidhën me kushtet e rënduara atmosferike.
Kjo dëborë shumë e madhe dhe e pazakontë e nëntorit për Seulin iu atribua temperaturave më të ngrohta se zakonisht të regjistruara në ujrat e detit në perëndim të gadishullit Korean, dhe rrymave tejet të ftohta të ajrit në zonë. Korea e Veriut fqinje po ashtu është përballur me reshje dëbore në disa zona, të cilat megjithatë nuk akumuluan më shumë se 10 cm borë.