Sipas mjekëve palestinezë, të paktën 32 persona humbën jetën në Gazë nga sulmet e bëra nga ushtria izraelite gjatë natës dhe orëve të para të së shtunës. Ndërkaq, ushtria izraelite njoftoi se avionët e saj goditën vendet e kontrabandës së armëve të Hezbollahut përgjatë kufirit të Sirisë me Libanin. Përshkallëzimi vjen pasi udhëheqësit e Hamasit pritej të mbërrinin në Kajro të shtunën, për bisedime armëpushimi me zyrtarët egjiptianë.
Ushtria izraelite tha të shtunën se vrau një palestinez të akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist të Hamasit në 7 tetorin e vitit të kaluar dhe se po hetonte njoftimet se individi ishte punonjës i organizatës së ndihmave World Central Kitchen. Organizata me qendër në Shtetet e Bashkuara pati njoftuar më herët se tre nga punonjësit e saj u vranë kur ishte goditur një makinë civile në Khan Younis.
Ndërkaq, ushtria izraelite njoftoi se avionët e saj goditën vendet e kontrabandës së armëve të Hezbollahut përgjatë kufirit të Sirisë me Libanin. Sulmi ishte testi i fundit i një armëpushimi të brishtë disa-ditor, që ndali luftimet disa-mujore mes palëve, por që është shoqëruar nga shkëmbime zjarri sporadike. Përshkallëzimi vjen pasi udhëheqësit e Hamasit pritej të mbërrinin në Kajro të shtunën për bisedime armëpushimi me zyrtarët egjiptianë.
Në qytetin e Gazës, banorët e lagjes Sheikh Radwan u rikthyen për të pastruar rrënojat dhe për të nxjerrë trupat e të vrarëve nga një sulm ajror izraelit i bërë në orët e para të së shtunës.
Sulmi ajror goditi në një godinë apartamentesh duke vrarë 10 civilë. Sipas banorëve, aty jetonte një familje që ishte zhvendosur nga Jabaliya dhe kishin gjetur strehim në godinë.
“Nuk ka vend të sigurtë. Banorët bombardohen në shtëpitë e tyre, në tregje, në rrugë, në shkolla. Ku duhet të shkojnë këta njerëz? Nuk ka asnjë vend të sigurt”, thotë Mohammed Al-Zaytouniyeh, pronar i apartamentit të goditur nga sulmi ajror.
Pjesë të mëdha të Gazës janë shndërruar tashmë në rrënoja.
“Jeta nuk është e mundur këtu. Është një ferr. Përveçse që nuk ka spitale ku të dërgohen të plagosurit, nuk ka as varreza për të vrarët, as nuk ka njerëz të aftë për të tërhequr trupat nga rrënojat... Gaza po shkatërrohet”, thotë zoti Al-Zaytouniyeh.
Sipas zyrtarëve në Gazë, fushata e Izraelit ka vrarë të paktën 44,200 persona dhe ka zhvendosur gati të gjithë popullsinë të paktën një herë.
Lufta u shkaktua nga militantët e Hamasit, të cilët sulmuan komunitetet në jug të Izraelit 13 muaj më parë. Sipas autoriteteve izraelite, ata vranë 1,200 persona dhe morën peng mbi 250 të tjerë./VOA