Përparimi i rebelëve në Siri mundësi e re për Turqinë

Azia

Përparimi i rebelëve në Siri mundësi e re për Turqinë

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 16:19
Luftëtarët e opozitës siriane në Alepo.

Suksesi i rebelëve sirianë kundër forcave të Damaskut në ditët e fundit po i ofron Turqisë një mundësi për të realizuar qëllimet kryesore strategjike në Siri. Analistët thonë se Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron një angazhim direkt me Presidentin sirian Bashar al-Assad për të siguruar kthimin e mbi katër milionë refugjatëve sirianë, që ndodhen në Turqi.

Ofensiva e forcave rebele siriane të grupit “Hayat Tahrir al-Sham” dhe Ushtrisë Kombëtare Siriane mund t’i hapë rrugën presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të filluar dialogun që ai dëshironte me homologun e tij sirian Bashar al Assad.

Deri më tani, Presidenti al-Assad i ka hedhur poshtë propozimet e presidentit turk, por analistët thonë se ndikimi i Ankarasë mbi dy forcat rebele siriane që po luftojnë kundër Damaskut i jep udhëheqësit turk një avantazh të ri.

“Për të gjetur një zgjidhje, Turqia mund të frenojë lehtësisht të dy grupet siriane (Hayat Tahrir al-Sham dhe Ushtrinë Kombëtare Siriane) dhe të fillojë një proces të ri dialogu. Al-Assadi e di mirë që Turqia e ka këtë fuqi. Pra, qëllimi politik i Turqisë nuk është të përshkallëzojë situatën në Siri dhe të fillojë një angazhim politik, diplomatik me regjimin e Al-Asadit”, thotë Murat Aslan, ekspert i çështjeve ndërkombëtare në Fondacionin SETA.

Analistët thonë se zoti Erdogan po kërkon një angazhim me al-Assadin për të kthyer një pjesë të madhe të katër milionë refugjatëve sirianë që ndodhen në Turqi, ndërsa shqetësimi i publikut turk për praninë e tyre në vend po rritet.

“Sipas sondazheve, refugjatët sirianë, apo çështja e refugjatëve në përgjithësi, duke përfshirë afganët dhe të tjerët, është një çështje shqetësuese për popullin turk. Për çdo qeveri, do të ishte një fitore e mrekullueshme kthimi vullnetar i refugjatëve në Siri”, thotë analisti turk i politikës së jashtme, Aydin Selcen.

Rebelët sirianë po ndihmojnë gjithashtu për të realizuar një tjetër qëllim kyç të Ankarasë, marrjen e territoreve të kontrolluara nga forcat e grupit YPG, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ankaraja e akuzon grupin YPG për lidhje me PKK-në, organizatën tjetër të kurdëve që lufton kundër shtetit turk.

Megjithatë, analistët thonë se Turqia nuk do të rrinte duarëkryq nëse këto suksese do të rrezikoheshin.

“Nëse situata del jashtë kontrollit dhe forcat kurde të PKK-së apo YPG-së zgjerohen në rajone të tjera dhe bëhen një palë e fortë që mund t’i sfidojë të gjithë, atëherë ndërhyrja e Turqisë në këtë konflikt do të ishte pothuajse e sigurt”, thotë Murat Aslan, ekspert i çështjeve ndërkombëtare në Fondacionin SETA.

Ndërsa sukseset e rebelëve sirianë mund të çojnë përpara qëllimet e Ankarasë në Siri, analistët paralajmërojnë se lidhjet e rebelëve me grupet radikale islamike mund ta dëmtojnë Turqinë.

“Përmbysja e regjimit të Bashar Al-Asadit nuk është në interesin e Turqisë, sepse do të krijonte kaos. Kush do ta merrte pushtetin? Çfarë lloj qeverisjeje do të krijohej? Kjo do të mund të krijonte mundësinë e një shteti kurd, që kundërshtohet nga Ankaraja. Dhe një territor tjetër i kontrolluar nga Shteti Islamik nuk do të ishte në interesin e Turqisë. Në burgjet turke ka mijëra njerëz të Shtetit Islamik”, thotë Huseyin Bagci nga Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme.

Analistët thonë se sukseset e rebelëve sirianë janë një mundësi për Ankaranë për të realizuar qëllimet e saj jetike në fushën e sigurisë dhe atë diplomatike, por këto suksese sjellin gjithashtu rrezikun e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në kufijtë e Turqisë.VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat