Trupat siriane raportohet se kanë penguar avancimin e rebelëve drejt bazës ajrore ruse

Azia

Trupat siriane raportohet se kanë penguar avancimin e rebelëve drejt bazës ajrore ruse

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 17:23
Rebelët e udhëhequr nga HTS-ja në Alepo më 29 nëntor 2024.

Një monitorues i luftës dhe media shtetërore thanë se forcat qeveritare siriane kanë nisur një kundërofensivë ndaj rebelëve të udhëhequr nga islamikët, të cilët po i afrohen një baze ajrore që operohet nga Rusia, pasi morën nën kontroll një sërë qytetesh dhe rrethuan qytetin kyç, Hama.

Ofensiva e forcave qeveritare erdhi pas një avancimi të shpejtë të rebelëve në ditët e fundit. Ofensiva po udhëhiqet nga grupi islamist, Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Rebelët kanë marrë Alepon, por edhe 14 fshatra dhe qyteza dhe janë 35 kilometra larg nga Baza Ajrore Khmeimim.

Regjimi i presidentit, Bashar al-Assad, ia ka dhënë këtë bazë ajrore Rusisë më 2015, pasi Moska e ndihmoi Damaskun që ta ndryshonte në favorin e tij rrjedhën e luftës civile.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Siri, SANA, tha se rebelët më 4 dhjetor u tërhoqën rreth 20 kilometra nga Hama, që është nën kontrollin e forcave qeveritare, pasi forcat e Assadit, të mbështetur nga sulmet ajrore ruse, zmbrapsën rebelët nga periferitë e qytetit.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – grup monitorues i luftës në Siri, që ka bazën në Britani – tha se rebelët janë tërhequr vetëm afër 10 kilometra.

Hama, që është kyç për mbrojtjen e Damaskut, është portë për qytetet detare të Tartusit dhe Latakias. Në Tartus, Rusia ka një bazë detare.

Përveç HTS-së, rebelët përfshijnë një grup ombrellë të milicive siriane të mbështetura nga Turqia, që quhet Ushtria Kombëtare Siriane.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, tha më 3 dhjetor se dhjetëra mijëra civilë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat