Avancimi i rrufeshëm i rebelëve xhihadistë në Siri vazhdon dhe regjimi i Bashar al Asadit duket se po dobësohet gjithmonë e më shumë.
Pasi kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të rajonit të Deraas e kanë mbërritur në qytetin e Homsit, forcat islamike proturke duket se tani po synojnë kryeqytetin e vendit, Damask.
Që nga sulmi i koalicionit pro-Ankarasë në Aleppo një javë më parë, mbrojtja e qeverisë siriane është shembur në të gjithë vendin me shpejtësi marramendëse ndërsa kryengritësit kanë kapur një varg qytetesh të mëdha dhe kanë marrë revanshin edhe në zonë ku rebelimi ishte fashitur shumë kohë më parë.
Përveç marrjes së Aleppos në veri, Hamas në qendër dhe Deir al-Zor në lindje, rebelët ngritën krye edhe në jug të Suweidas. Pyetja që shtrohet tani është çfarë do të bëjë presidenti Bashar Al Assad?
Sipas Wall Street Journal, disa zyrtarë qeveritarë në Egjipt dhe Jordani e kanë këshilluar kreun e shtetit sirian të largohet nga vendi dhe të krijojë një qeveri në mërgim.
Sipas gazetës amerikane, familjarët e afërt të Asadit tashmë janë larguar nga Siria, gruaja e tij Asma dhe fëmijët janë strehuar në Rusi ndërsa të afërm të tjerë kanë udhëtuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Me mijëra njerëz janë duke u larguar sakaq nga Homsi: Një video e orëve të vona të mbrëmjes së të premtes tregonte qindra makina në radhë për të lënë sa më shpejt qytetin e pushtuar.
Fondamentalistët islamikë i kanë lëshuar gjithashtu një ultimatum regjimit të Asadit duke ia bërë të qartë se synojnë “përmbysjen e tij” dhe krijimin e një qeverie të re, të bazuar në një këshill të zgjedhur nga populli.