LIVE: Rënia e Assadit godet Iranin dhe Rusinë – Moska merr një vendim të menjëhershëm!

Azia

LIVE: Rënia e Assadit godet Iranin dhe Rusinë – Moska merr një vendim të menjëhershëm!

Nga: Bota sot Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 11:38 Përditësuar në ora: 12:01 më 08.12.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Sulmohet ambasada iraniane në Damask

Mediat iraniane raportojnë se ambasada e Iranit në Damask është sulmuar.

Pamjet e shpërndara nga organizata arabe e lajmeve Al Arabiya tregon dëmtime në pjesën e jashtme të ndërtesës, duke përfshirë dritaret e thyera dhe dhomat në rrëmujë me letra të shpërndara nëpër dysheme, raporton BBC, transmeton "Bota sot".

Pamjet tregojnë gjithashtu një imazh të madh në ndërtesën e gjeneralit iranian Qasem Soleimani dhe liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah - të dy të vdekur - duke u grisur nga një turmë.

Image

Imazhi më lartë, nga agjencia e lajmeve Reuters, tregon pjesën e përparme të ndërtesës, me foton e dy burrave të grisur qartë.

Humbja e Sirisë, “shuplakë e fortë” për Rusinë

Kur Vladimir Putin mori pushtetin në Rusinë post-sovjetike një çerekshekulli më parë, ai menjëherë përveshi mëngët për të rivendosur statusin e Moskës si fuqi botërore.

Iu deshën 15 vjet, por Rusia njoftoi për ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën civile siriane, si dëshmi të rikthimit të saj si forcë që nuk duhet të injorohet në skenën ndërkombëtare.

Moska e përdori atë imazh për të zgjeruar ndikimin e saj në gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, si një kundërpërgjigje ndaj Perëndimit.

Tani, rënia e Qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, një aleati kyç të Moskës, i ka dhënë një goditje serioze ambicieve të Moskës si fuqi e madhe.

“Aventura ushtarake e Putinit në Siri ishte e dizajnuar të demonstronte se Rusia është fuqi e madhe dhe mund ta projektojë ndikimin e saj jashtë vendit”, tha Phillip Smyth, ekspert për Lindjen e Mesme. “Humbja e Sirisë është shuplakë e fortë në fytyrën e Putinit”.

Rrëzimi i Assadit paraqet jo vetëm goditje ndaj reputacionit të Rusisë, por ka të ngjarë të paraqesë edhe një humbje të madhe strategjike.

Siria është shtëpi e dy instilacioneve të mëdha ushtarake të Rusisë: një baze ajrore në Hmeimim dhe një baze detare në Tartus. Baza detare në Tartus është baza e vetme që Rusia ka në ujëra të ngrohta dhe i jep qasje Moskës në Detin Mesdhe.

“Rusia ka përdorur bazat e saj në Siri për të projektuar fuqinë e saj si në lindje të Mesdheut dhe në Lindjen e Mesme”, tha Smyth.

Asete ruse në Siri

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri më 2015 ndryshoi rrjedhën e luftës. Fushata shkatërruese ajrore e Moskës ndaj pozicioneve të rebelëve, ndihmuan ushtrinë siriane të rimerrnin pjesë të mëdha të territorit dhe të mbanin në pushtet Assadin.

Fushata e Moskës në Siri ndodhi një vit pas pushtimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për forcat separatiste në lindje të Ukrainës.

Moska përdori përfshirjen e saj në Siri dhe Ukrainë për ta paraqitur veten si fuqi, që është e aftë të sfidojë Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Perëndimin në përgjithësi dhe në të njëjtën kohë zgjeron ndikimin në botë nga Mesdheu në Afrikë dhe Amerikën Latine.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Siria u bë më shumë aset për Moskën, thanë ekspertët, përderisa po ashtu paraqet sfidë për të mbajtur fushatat ushtarake në dy fronte.

Me pritjen që Rusia të humbë asetet e saj ushtarake në Rusi, pas rënies së Qeverisë së Assadit, detyra është bërë edhe më e rëndë.

Rusia veçse ka investuar shumë në një kundërofensivë të madhe për të rimarrë territorin në rajonin e saj jugperëndimor të Kurskut, që e ka humbur nga Ukraina dhe për këtë ofensivë po varet nga ndihma e trupave të Koresë së Veriut. Në të njëjtën kohë, Moska po tenton të marrë sa më shumë territor që mundet në lindje të Ukrainës përpara bisedimeve të mundshme për paqe.

Ndërtesat ushtarake të Rusisë përgjatë brigjeve të Mesdheut në perëndim të Sirisë mund të merren nga militantët që udhëhiqen nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që është e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Aaron Zelin, hulumtues i lartë në Institutin e Uashingtonit, tha se Rusia, thjesht, nuk e ka në dispozicion fuqinë e njëjtë të zjarrit që të mbrojë asetet e saj në Siri.

“Është e rëndësishme të kujtohet se tani Rusia duhet të merret me luftën e saj më të madhe në Ukrainë për dallim kur ndërhyri për herë të parë në Siri më 2015”, tha Zelin.

“Asetet e Rusisë po ashtu po luftojnë në Afrikën Sub-sahariane. Dhe për dallim nga një dekadë më parë, kur Rusia kishte Grupin Wagner, që udhëhiqej [nga i ndjeri Yevgeny] Prigozhin... Rusia nuk e ka nivelin e njëjtë të kapacitetit apo aftësisë për t’u përballur tani me këtë gjë në të njëjtën mënyrë si më parë”.

Zelin tha se humbja e bazës detare në Tartus, në veçanti do të ishte “një humbje jashtëzakonisht e madhe për Rusinë”.

“Ai është porti i vetëm i Rusisë në ujëra të ngrohta dhe mund të përdoret për aktivitete të marinës dhe për të treguar fuqi”, tha ai. “Humbja e kësaj baze do të shkëpuste Rusinë nga thelbi i Lindjes së Mesme”.

Moska nuk ka dërguar trupa tokësore për të ndihmuar Damaskun, që ra në duart e HTS-së dhe aleatëve të tij më 8 dhjetor. Rusia ka kryer dhjetëra sulme ajrore që kur militantët nisën ofensivën e tyre kundër forcave të Assadit në fund të nëntorit, por ndërhyrja e kufizuar e Moskës bëri pak në ndaljen e përparimit të rebelëve.

Ekspertët thanë se Rusia do të paguajë çmim të lartë për dështimin e saj në Siri.

Rënia e Assadit është “një goditje e madhe për pretendimin e Rusisë se ende është fuqi botërore, në kuptim të mbajtjes së ndikimit ushtarak dhe politik jashtë vendit”, tha Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Po ashtu, aktorët në rajonet e tjera, sikurse Amerika Latine dhe Afrika, “mund të nisin të rimendojnë lidhjet e tyre dhe varësinë e tyre nga Rusia”, tha ai./REL

Rebelët sirianë thonë se kanë marrë Damaskun, nuk dihet vendndodhja e Assadit

Rebelët sirianë pretenduan herët në mëngjesin e 8 dhjetorit se kanë marrë nën kontroll kryeqytetin, Damaskun, pas një ofensive të shpejtë të nisur ditëve të fundit.

Damasku është “tani i lirë nga Assadi”, thanë rebelët në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Vendndodhja e presidentit Bashar al-Assad nuk dihet, megjithëse Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britani, tha se Assadi ishte larguar me një aeroplan nga Damasku dhe kishte lënë vendin herët në mëngjesin e 8 dhjetorit. Nuk u tha se ku kishte udhëtuar Assadi.

Ndërkaq, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka shkruar në llogarinë e tij në Truth Social se "Assadi është larguar nga shteti. Mbrojtësja e tij, Rusia, nuk ishte e interesuar që ta mbronte më".

Ky raportim nuk mund të konfirmohej, por kryeministri sirian Mohammad Ghazi al-Jalali tha në një video se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.

“Ne besojmë se Siria është për të gjithë sirianët dhe se është vendi i të gjithë bijve të saj, dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal", tha al-Jalali, duke shtuar se ai ishte ende në shtëpi në Damask dhe nuk kishte ikur. 

Abu Mohammad al-Golani, një udhëheqës i grupit rebel, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), tha në orët e vona të 7 dhjetorit se luftëtarët rebelë ishin "në momentet e fundit të çlirimit të Homsit", një qytet me 775.000 banorë.

HTS-ja konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.

Kush është HTS-ja?

Hayat Tahrir al-Sham (HTS) është grup militant islamist, anëtarët e së cilit janë kryesisht salafistë, një sekt ultra-radikal i islamit sunit. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik.

Grupi u shfaq në skenë më 2012, një vit pas nisjes së luftës civile siriane. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.

I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.

Fronti Nusra u shndërrua në një nga grupet më vdekjeprurëse që luftojnë kundër Assadit dhe përdor taktika, sikurse bombardimet vetëvrasëse dhe pajisjet artizanale plasëse.

Grupi militant më pas ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar HTS-në.

Ky grup është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe grupet aleate.

Ekspertët thanë se rënia e regjimit të Assadit do të paraqesë një humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, i cili së bashku me Teheranin kanë mbështetur Qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011.

Instituti për Studim të Luftës, me bazë në SHBA, tha se "forcat e regjimit të Assadit kanë kolapsuar dhe mbështetësit e Assadit duket se nuk kanë vullnet që të mbështesin ushtrinë arabe siriane, duke dislokuar menjëherë forca shtesë".

Rusia ka disa ndërtesa ushtarake në Siri, përfshirë bazën ajrore në Hmeimim dhe një bazë strategjike detare në Tartus, baza që janë përdorur po ashtu për të mbështetur veprimet e Kremlinit në Afrikë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk pranoi të komentonte për fatin e bazave ruse, duke thënë se "nuk është në interesin e askujt që të hamendësojmë".

Instituti për Studim të Luftës tha se Moska ende nuk është evakuuar nga baza, "por mbetet e paqartë nëse Rusia do të mbajë anije në port, teksa rebelët sirianë vazhdojnë të avancojnë me shpejtësi në territoret e mbajtura nga regjimi".

Ruslan Suleymanov, ekspert rus për Lindjen e Mesme, i tha Radios Evropa e Lirë se Moska do të “bashkëpunojë me rebelët” nëse ata e marrin pushtetin në Damask dhe se HTS-ja po ashtu “ka pretenduar më herët se është e gatshme të negociojë” me Kremlinin.

“Putini dëshiron të shpëtojë praninë e tij ushtarake në rajon. Në çdo rast, për ta bërë këtë, ai duhet të bëjë koncesione, si me xhihadistët ashtu edhe me [presidentin turk, Recep Tayyip] Erdogan, i cili mbështet [rebelët]”, tha ai.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë më 7 dhjetor se Uashingtoni po monitoronte nga afër situatën në terren në Siri.

Një zëdhënës tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët e saj bënë thirrje që civilët, përfshirë anëtarët e grupeve minoritare, të mbrohen.

Zëdhënësi tha se ishte koha për të negociuar një fund të konfliktit sirian në përputhje me parimet e përcaktuara në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai shtoi se refuzimi i regjimit të Assadit për të marrë pjesë në këtë proces ka çuar drejtpërdrejt në situatën aktuale.

Ndërkohë, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të kenë asnjë lidhje” me luftën në Siri, ku një kontingjent i vogël i forcave amerikane vazhdon të jetë i dislokuar në disa zona.

Ofensiva e befasishme nisi më 27 nëntor nga një koalicion i grupeve të rebelëve. Ofensiva udhëhiqet nga HTS-ja.

Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën, edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.

Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona mund të detyrohen të zhvendosen, teksa rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assadit, por edhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.

Assadi është varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që kur shpërtheu konflikti më 2011.

Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata morën edhe qytete të tjera të mëdha, teksa forcat e Asadit bënë pak rezistencë.

Zhvillimet në Damask kanë shtyrë fqinjët e Sirisë që të ndërmarrin masa urgjente. Libani ka njoftuar për mbylljen e të gjithë kufijve tokësore me Sirinë, përveç njërit që lidh Bejrutin me Damaskun.

Jordania po ashtu ka mbyllur kufijtë me Sirinë.

Izraeli tha se ka dislokuar trupa në zonën neutrale që gjendet përgjatë kufirit të tij verior me Sirinë dhe ka dërguar trupa “në vende të tjera të nevojshme për mbrojtjen tonë”.

Ushtria izraelite tha se ky dislokim është bërë për të ofruar siguri për banorët në Lartësitë e Golanit, të aneksuara nga Izraeli./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat