Qeveria izraelite miraton plan për zgjerimin e vendbanimeve në Lartësitë Golan

Azia

Qeveria izraelite miraton plan për zgjerimin e vendbanimeve në Lartësitë Golan

Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 16:36
Foto ilustrim

Qeveria izraelite miratoi të dielën një plan për të zgjeruar vendbanimet izraelite në Lartësitë Golan nën pushtimin e Izraelit, duke thënë se po vepron "në dritën e luftës dhe frontit të ri me të cilin përballet Siria", si edhe nga dëshira për të dyfishuar popullsinë izraelite në Golan.

"Forcimi i Golanit forcon shtetin e Izraelit dhe është veçanërisht i rëndësishëm në këtë kohë. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë atë, ta bëjmë atë të lulëzojë dhe të vendosim kolonë," tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë.

Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha po të dielën se kërcënimet nga Siria vazhdojnë të ekzistojnë pavarësisht tonit të moderuar të udhëheqësve rebelë që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad një javë më parë.

"Rreziqet e menjëhershme për vendin nuk janë zhdukur dhe zhvillimet e fundit në Siri e rrisin kërcënimin - pavarësisht imazhit të moderuar që udhëheqësit rebelë pretendojnë të paraqesin," u tha zoti Katz zyrtarëve që po shqyrtonin buxhetin e mbrojtjes së vendit, sipas një deklarate.

Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, tha të shtunën se Izraeli po përdorte pretekste të rreme për të justifikuar sulmet e tij në Siri, por se ai nuk është i interesuar të përfshihet në konflikte të reja pasi vendi po përqendrohet tek rindërtimi.

Sharaa - i njohur më shumë si Abu Mohammed al-Golani - drejton grupin islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) që rrëzoi Assadin nga pushteti të dielën e kaluar, duke i dhënë fund sundimit me grusht të hekurt prej pesë dekadash të familjes së tij.

Që atëherë, Izraeli është zhvendosur në një zonë të çmilitarizuar brenda Sirisë, e cila u krijua pas luftës arabo-izraelite të vitit 1973, që përfshin anën siriane të malit strategjik Hermon me pamje nga Damasku, ku forcat e tij morën një post të braktisur ushtarak sirian.

Izraeli, i cili ka thënë se nuk ka ndërmend të qëndrojë atje dhe e quan inkursionin në territorin sirian një masë të kufizuar dhe të përkohshme për të garantuar sigurinë kufitare, ka kryer gjithashtu qindra sulme ndaj rezervave të armëve strategjike të Sirisë. Ajo ka thënë se po shkatërron armët strategjike dhe infrastrukturën ushtarake për të parandaluar përdorimin e tyre nga grupet rebele që dëbuan Assadin nga pushteti.

Disa vende arabe, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë, kanë dënuar atë që ata e quajnë kapje nga Izraeli të një zone tampon në Lartësitë Golan.

"Gjendja e Sirisë, e drobitur nga lufta, pas vitesh konflikti dhe lufte, nuk lejon konfrontime të reja. Prioriteti në këtë fazë është rindërtimi dhe stabiliteti dhe jo tensione të reja që mund të çojnë në shkatërrim të mëtejshëm," tha Sharaa në një intervistë të botuar në faqen e internetit të Siria TV, një kanal që anon nga rebelët.

Ai tha gjithashtu se zgjidhjet diplomatike ishin e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin dhe se "aventurat ushtarake të papeshuara" nuk janë të nevojshme./VOA

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat