Presidenti i rrëzuar i Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë se ishte larguar nga vendi në orët e vona të 8 dhjetorit, pasi një bazë ajrore ruse thuhet se ishte sulmuar nga forcat rebele dhe zyrtarët në Moskë urdhëruan “evakuim të menjëhershëm”.
Presidenca siriane tha më 16 dhjetor në Telegram se largimi nga baza ajrore Hmeimim “nuk ishte i planifikuar dhe as nuk ndodhi gjatë orëve të fundit të betejave”.
Këto duket të jenë komentet e para publike të Assadit që nga rënia e regjimit të tij në Sirinë e shkatërruar nga lufta.
Rusia kishte ndërhyrë më 2011 në luftën civile 14-vjeçare midis forcave qeveritare dhe rebelëve për ta ndihmuar Assadin të qëndrojë në pushtet.
Por, udhëheqësi autoritar iku nga Siria kur organizata e cilësuar si terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dhe aleatët e saj – disa prej të cilëve janë të lidhur me Turqinë – i mposhtën forcat qeveritare me një ofensivë të rrufeshme.
Vendndodhja e Assadit ishte e panjohur për një kohë të shkurtër derisa zyrtarët në Moskë të njoftonin më 9 dhjetor se ai kishte marrë azil politik në Rusi nga presidenti Vladimir Putin, pas më shumë se pesë dekadash sundimi të hekurt nga familja e tij.
Në postim, Assadi tha se “kurrë nuk e kishte konsideruar dorëheqjen apo kërkimin e strehimit, dhe as nuk ishte bërë një propozim i tillë nga ndonjë individ apo palë”.
Reuters raportoi javën e kaluar se largimi i Assadit nga vendi kishte befasuar edhe të afërmit dhe zyrtarët e lartë.
HTS-ja ka vepruar shpejt për ta krijuar një Qeveri të përkohshme dhe udhëheqësi i saj, Riad al-Asaad, ka thënë se është i bindur se fraksionet që ndihmuan në rrëzimin e Assadit do të bashkohen si një forcë e vetme. HTS-ja dhe Qeveria tranzitore janë zotuar se të drejtat e të gjithë sirianëve do të mbrohen.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha më 16 dhjetor se Rusia dhe një tjetër aleat i ngushtë i Sirisë, Irani, nuk duhet të kenë ndikim mbi të ardhmen e vendit.
“Shumë ministra të jashtëm theksuan se duhet të jetë kusht për udhëheqjen e re zhdukja e ndikimit rus [në Siri]”, tha Kallas për gazetarët në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
E ardhmja e bazave ruse – baza ajrore Hmeimim në Latakia dhe ajo detare në Tartus – është vënë në pikëpyetje pas rënies së Assadit.
Reuters citoi burime ushtarake dhe të sigurisë brenda Sirisë se Moska po i tërheq forcat e saj nga vijat e frontit dhe po largon disa pajisje të rënda nga vendi.
Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR) tha më 15 dhjetor se personeli ushtarak rus që ndodhet ende në Siri po përjeton mungesa ushqimi dhe uji të pijshëm, derisa tërheqja e trupave dhe pajisjeve po vazhdon.
Ajo shtoi se personeli rus po përballet me këto probleme në bazat në Tartus dhe Hmeimim, si dhe në anijet e ankoruara në Detin Mesdhe.