Ndërmjetësit shtojnë përpjekjet për armëpushim teksa Izraeli vret 16 persona në Gazë

Azia

Ndërmjetësit shtojnë përpjekjet për armëpushim teksa Izraeli vret 16 persona në Gazë

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ndërmjetësit arabë, po bëjnë përpjekje të mërkurën për të përmbyllur një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian – për të ndërprerë luftën 14-muajshe në Rripin e Gazës, ku mjekët kanë thënë se sulmet izraelite vranë të paktën 16 palestinezë gjatë natës.

Të martën, burime të afërta me bisedimet në Kajro, kryeqytet i Egjiptit, thanë se një marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë ditëve të ardhshme për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë, në këmbim me të burgosur palestinezë që mbahen nga Izraeli, raporton Reuters.

Mjekët thanë se një sulm ajror izraelit vrau të paktën 10 persona në një shtëpi në qytezën veriore Beit Lahija, ku forcat ushtarake operojnë që nga tetori, përderisa gjashtë persona u vranë nga sulme të tjera ajrore në Qytetin e Gazës, në kampin Nuseirat në zonat qendrore, dhe në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar asgjë për sulmet.Administrata amerikane, dhe ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari, kanë bërë përpjekje intensive ditëve të fundit, për të arritur përparim në bisedime, para se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, të largohet nga pushteti muajin e ardhshëm.

Të mërkurën, një zyrtar palestinez i afërt me negociatat ka thënë se ndërmjetësit i kanë ngushtuar dallimet për shumicën e pikave të marrëveshjes, por ka shtuar se Izraeli ka dalë me kushte të cilat Hamasi i ka hedhur poshtë. Ai nuk ka pranuar të japë hollësi.

Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, do të bisedojë gjatë të mërkurës në Doha me kryeministrin e Katarit, sheikun Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për të kapërcyer dallimet e mbetura mes Izraelit dhe Hamasit, kanë thënë burime të tjera me njohuri rreth negociatave. CIA nuk ka pranuar të komentojë.

Negociatorët izraelitë shkuan më Doha të martën, në përpjekje për të ngushtuar dallimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit rreth një marrëveshjeje që Biden e ka paraqitur në maj.

Bisedime janë mbajtur vazhdimisht gjatë vitit, por të gjitha kanë dështuar, teksa Izraeli ka ngulmuar që të mbajë një prani ushtarake në Gazë, ndërsa Hamasi ka refuzuar t’i lirojë pengjet, derisa trupat izraelite të tërhiqen.Lufta në Gazë, e nxitur nga një sulm i udhëhequr nga Hamasi ndaj komuniteteve në Izraelin jugor, i cili vrau rreth 1.200 persona dhe në kuadër të të cilët u rrëmbyen mbi 250 njerëz, ka tronditur Lindjen e Mesme dhe e ka lënë Izraelin të izoluar në skenën ndërkombëtare.

Fushata ushtarake e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 45.000 palestinezë, ka zhvendosur shumicën e popullsisë 2.3 milionë banorësh dhe ka shndërruar në rrënoja pjesën më të madhe të enklavës.

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat