Sulmet izraelite kanë vrarë 17 palestinezë në Gazë, ndërsa një spital në veri të enklavës është urdhëruar të evakuohet
Sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Rripin e Gazës vranë të paktën 17 palestinezë, tetë prej tyre në një shkollë që strehonte familjet e zhvendosura në qytetin e Gazës, njoftuan mjekët.
Mjekët palestinezë thanë se tetë persona, përfshirë fëmijë, u vranë në shkollën Musa Bin Nusayr që strehonte familjet e zhvendosura në qytetin e Gazës, dhe 4 të tjerë kur një makinë u godit në një sulm nga ajri.
Të paktën pesë palestinezë të tjerë u vranë në dy sulme ajrore të veçanta në Rafah dhe Khan Younis në jug të enklavës.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se sulmi kishte në shënjestër militantët e Hamasit që vepronin nga një qendër komandimi brenda shkollës, për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme kundër forcave izraelite.
Në qytetin verior të Gazës, Beit Lahiya, ku ushtria ka operuar që nga tetori, drejtori i spitalit Kamal Adwan, tha se ushtria urdhëroi stafin të evakuonte spitalin dhe të zhvendoste pacientët dhe njerëzit e plagosur drejt një spitali tjetër në zonë, por se misioni ishte "gati i pamundur" sepse stafi nuk kishte ambulanca për të lëvizur pacientët.
Ushtria izraelite ka operuar në dy qytetet e Gazës veriore, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, si dhe në kampin e afërt Jabalia për gati tre muaj.
Palestinezët kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e akteve të "spastrimit etnik" për të shpopulluar ato zona për të krijuar një zonë tampon.
Izraeli e mohon këtë dhe thotë se fushata në zonë kishte për qëllim të luftonte militantët e Hamasit dhe t'i pengonte ata të rigrupoheshin. Ajo tha se forcat e saj kanë vrarë qindra militantë dhe kanë çmontuar infrastrukturën ushtarake që nga fillimi i këtij operacioni.
Ndërsa krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik thanë se ata vranë shumë ushtarë izraelitë në prita gjatë së njëjtës periudhë.
Izraeli filloi sulmin e tij në Gaza pasi luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan komunitetet izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë mbi 250 pengje, sipas të dhënave izraelite. Izraeli thotë se rreth 100 pengje janë ende duke u mbajtur, por nuk është e qartë se sa janë gjallë.
Autoritetet në Gaza thonë se fushata e Izraelit ka vrarë më shumë se 45,000 palestinezë dhe ka zhvendosur shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh. Pjesa më e madhe e enklavës bregdetare është në rrënoja.