Sulmet ajrore izraelite të kryera gjatë natës në Rripin e Gazës vranë së paku 20 persona, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze.
Në një prej sulmeve u godit një kamp në rajonin Muwasi, e deklaruar zone humanitare nga Izraeli. Aty u vranë 8 vetë, përfshirë 2 fëmijë, sipas të dhënave të spitalit Nasser, në jug të qytetit Khan Younis, ku u dërguan trupat.
Ushtria izraelite thotë se kryen sulme me objektivë vetëm militantët, të cilët i akuzon se fshihen në mesin e civilëve.
Ushtria njoftoi të dielën vonë se goditi duke vënë në shënjestër militantët e Hamasit në zonën humanitare.
Lufta nisi pasi militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit në 7 tetor 2023 duke vrarë 1200 vetë, shumica civilë, sipas të dhënave izraelite. Gjatë sulmit u morën peng rreth 250 persona. 100 pengje janë ende në Gazë, së paku një e treta e tyre besohet se ka vdekur. Kundër ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit ka vrarë 45,200 palestinezë, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Ministria thotë se më shumë se gjysma e të vdekurve janë gra dhe fëmijë, por nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve në bilancin e saj. Ushtria thotë se ka vrarë mbi 17 mijë militantë, por pa dhënë prova./VOA