Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, të hënën pranoi se Izraeli kishte vrarë ish-shefin e Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran në fillim të këtij viti, pasi ai paralajmëroi se ushtria do t’i “priste kokën” udhëheqjes së rebelëve Huthi të Jemenit .
“Ne do t’i godasim fort Huthit… dhe do t’i presim kokën udhëheqjes së tyre — ashtu siç bëmë me Haniyeh, (Jahya) Sinwar dhe (Hassan) Nasrallah në Teheran, Gaza dhe Liban, ne do ta bëjmë këtë në Hodeida dhe Sanaa. “, tha Katz, në pranimin e parë publik se Izraeli qëndron pas vrasjes së Haniyeh në korrik në kryeqytetin iranian.
“Kushdo që ngre dorën kundër Izraelit do t’i pritet dora dhe krahu “, tha Katz, sipas një deklarate të lëshuar nga ministria.
Deri më tani, Izraeli nuk e kishte pranuar kurrë vrasjen e Haniyeh, por Irani dhe Hamasi e kishin fajësuar atë për vdekjen e liderit politik të Hamasit .
Haniyeh, i cili shihej si udhëheqës i përpjekjeve negociuese të Hamasit për një armëpushim në Gaza, u vra në një bujtinë në Teheran më 31 korrik, thuhet se nga një mjet shpërthyes që ishte vendosur nga operativët izraelitë javë më parë.
Një ditë më parë, Haniyeh kishte marrë pjesë në inaugurimin e presidentit iranian Masoud Pezeshkian .
Më 27 shtator, Izraeli vrau Nasrallah në një bombardim në Bejrut, i cili u pasua nga vrasja e pasardhësit të Haniyeh Sinwar më 16 tetor në Gaza.
Zyrtarët izraelitë thonë se Sinwar organizoi sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi ndaj Izraelit, i cili shkaktoi luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës .