Të paktën 46 njerëz, shumica e të cilëve fëmijë dhe gra, kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve nga forcat ajrore pakistanezë dje në provincën lindore të Afganistanit Paktika.
Gjashtë persona u plagosën gjithashtu nga bombardimet në katër lokacione në Afganistan, tha sot zëdhënësi Hamdullah Fitrat.
Zyra e Jashtme e Afganistanit tha se kishte thirrur shefin e misionit të Pakistanit në Kabul për të dorëzuar një notë zyrtare proteste në Islamabad për bombardimin nga avionët ushtarakë pakistanezë, duke paralajmëruar për pasojat e veprimeve të tilla.
"Afganistani e konsideron këtë akt brutal një shkelje të hapur të të gjitha parimeve ndërkombëtare dhe një akt të dukshëm agresioni. Emirati Islamik nuk do ta lërë pa përgjigje këtë akt frikacak," tha Enayatullah Khowrazmi, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.
Një zyrtar pakistanez tha se Pakistani kishte kryer sulme ajrore kundër një kampi të grupit militant islamik taliban pakistanez (TTP).
TTP premton besnikëri ndaj dhe e merr emrin nga talebanët afganë, por nuk është drejtpërdrejt pjesë e grupit që sundon Afganistanin. Qëllimi i tij i deklaruar është të imponojë ligjin fetar islam në Pakistan, siç kanë bërë talebanët në Afganistan.
Një sulm i madh i TTP-së në Vaziristanin jugor të Pakistanit, që kufizohet me vendndodhjen e kampit të supozuar të synuar në Afganistan, vrau 16 personel pakistanez të sigurisë të shtunën.
Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit identifikoi të vrarët në bombardimet e Pakistanit duke treguar se ata ishin refugjatë nga territori i Vaziristanit.
Pakistani ka thënë më herët se disa sulme të TTP-së brenda territorit pakistanez janë nisur nga toka afgane, por kjo është hedhur poshtë nga Kabuli zyrtar.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar në mars kur talebanët akuzuan Pakistanin për sulme ajrore që lanë të vdekur shtatë persona. Islamabadi zyrtar u përgjigj atëkohë duke thënë se kishte kryer "operacione antiterroriste të bazuara në inteligjencë" në Afganistan.