BANDA ACEH, Indonezi – Familjarë e të afërm të viktimave të tsunamit u mblodhën për t’u lutur dhe vizituar varrezat masive në qytetin Banda Aceh të Indonezisë së enjten për të përkujtuar 20 vjetorin e cunamit në Oqeanin Paqësor, një prej katastrofave më të mëdha natyrore në historinë moderne.
Shumë prej të pranishmëve qanin ndërsa vendosnin lule në varrin masiv në fshatin Ulee Lheue, ku ndodhen mbi 14,000 viktima të paidentifikuara të cunamit. Kjo është një prej varrezave masive në Banda Aceh, kryeqytetin e njërës prej krahinave veriore të Indonezisë, që ishte edhe njëri prej vendbanimeve më të goditura nga tërmeti prej 9.1 shkallësh dhe cunamit masiv që e shkaktoi ai.
“Na mungojnë dhe ende nuk e dimë se ku janë. E tëra që dimë është se çdo vot e vizitojmë varrin masiv në Ulee Lhue dhe në Siron”, thotë Muhamad Amirudin, i cili humbi dy fëmijtë e tij para 20 vitesh deh kurrë nuk i gjeti trupat e tyre.
Tërmeti i fuqishëm në afërsi të ishullit indonezian Sumatra më 26 dhjetor të vitit 2004, nxiti cunamin që shkaktoi vdekjen e rreth 230,000 njerëzve në disa shtetet, përfshirë disa prej tyre në Afrikën Lindore. Rreth 1.7 milionë njerëz u zhvendosën si pasojë, shumica në katër vendet që u goditën më së shumti: Indonezi, Shri Lankë, Indi dhe Tajlandë.
Mbi 170 mijë njerëz humbën jetën vetëm në Indonezi.
Ndonëse 20 vite kaluan që nga kjo ngjarje, të mbijetuarit në Indonezi ende po vajtojnë për të dashurit që i humbën kur valët gjigande rrafshuan ndërtesat deri në kryeqytetin Banda Aceh.
Qindra njerëz u mblodhën për të marrë pjesë në lutje në Xhaminë Baiturrahman në qendër të kryeqytetit. Sirenat kumbuan nëpër tërë qytetin për tre minuta për të shënuar kohën kur goditi tërmeti.
Infrastruktura në Banda Aceh është rindërtuar dhe tani është më e qëndrueshme se atëherë kur goditi cunami. Sistemi i paralajmërimit të hershëm tani është vendosur në zonat bregdetare për t’i paralajmëruar banorët për rreziqet nga cunami.
Rindërtimi është mundësuar me mbështetjen e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat kontribuan fonde të konsiderueshme për të ndihmuar në rimëkëmbjen e rajonit.
Shkollat, spitalet dhe infrastruktura thelbësore, të cilat u shkatërrua gjatë kësaj katastrofe, u rindërtuan.
Në Tajlandë, banorët u mblodhën në një ceremoni përkujtimore në Ban Nam Khem, një fshat peshkimi në krahinën Phang Nga, i cili ishtë ndër vendbanimet e goditura më së shumti nga valët vdekjeprurëse në këtë shtet.
Cunami shkaktoi vdekjen e mbi 8 mijë njerëzve në Tajlandë, përfshirë ata që ende figurojnë të zhdukur, duke lënë një plagë të thellë në historinë e këtij vendi. Rreth 400 trupa ende nuk janë identifikuar.
Të afërmit e viktimave qajtën dhe përfaquan njëri-tjetrin ndërsa vendosën lule në monumentin përkujtimor. Rreth 300 banorë u bashkuan në një ceremoni modeste lutjesh muslimane, të krishtera dhe budiste.
Njëra nga të pranishmet, Urai Sirisuk tha se ajo shmang gjatë tërë vitit parkun përkujtimor pranë detit për shkak të tronditjes së humbjes së vajzës së saj 4 vjeçe.
“E kam ndjenjën që deti më mori fëmijën tim. Jam shumë e zemëruar në të. Nuk mund as ta fus më këmbën në det”, thotë ajo.
Por, thotë ajo, “ende e dëgjoj zërin e saj në veshët e mi, që po më thërret. Nuk mund t’ia kthej shpinën. Andaj më duhet të qëndroj këtu, për vajzën time”.
Në Indi, qindra banorë u mblodhën në plazhin Marina në qytetin jugor Chennai në krahinën Tamil Nadu. Ata derdhën qumësht në det për t’i qetësuar zotërat dhe dhuruan lule e lutje për të vdekurit ndërkohë që daullet kumbonin.
Sipas të dhënave zyrtare, 10,749 persona humbën jetën në Indi, përfshirë 7,000 banorë të krahinës Tamil Nadu.
“Kaluan 20 vite që kur goditi cunami”, tha 69 vjeçarja Sadayammal. “Jemi këtu për të shprehur respektin për njerëzit që humbën jetën”.
Në Shri Lankë, të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të cunamit u mblodhën në fshatin bregdetar Pereliya dhe vendosën lule në monumentin përkujtimor që përkujton 2,000 udhëtarët që humbën jetën kur treni - 'Queen of the Sea' - me të cilin po udhëtonin u godit nga valët. Vetëm disa dhjetëra prej tyre besohet se mbijetuan.
Anura Ranjith iu bashkua turmës për të përkujtuar motrën e tij, Anula Ranjani dhe vajzën e saj 9 vjeçare, që udhëtonin me tren. Ai kurrë nuk dëgjoi më për fatin e tyre.
“Me vite i kam kërkuar gjithandej dhe ende nuk kam ndonjë informacion për to. E ndjej një pikëllim të thellë dhe dhimbje për humbjen e tyre. Ende po vajtoj”, thotë ai.
Mbi 35,000 njerëz humbën jetën nga cunami në Shri Lankë. Banorët e këtij vendi mbajtën dy minuta heshtje të enjten për të përkujtuar ata që nuk janë më./VOA