Kompania ajrore e Azerbajxhanit njoftoi sot se përfundimet paraprake tregojnë se avioni i saj u rrëzua si pasojë e “ndërhyrjes së jashtme fizike dhe teknike”, ndërkohë që burimet në dijeni të rezultateve të hetimeve, thanë se avioni u godit nga sistemet mbrojtëse ajrore të Rusisë.
Zyrtarët rusë thanë se avioni ndryshoi drejtim për shkak të mjegullës dhe pas paralajmërimit për aktivitetin e një droni ukrainas në atë zonë. Ekspertët gjithashtu fajësuan sistemet mbrojtëse ajrore ruse për rrëzimin e avionit që shkaktoi vdekjen e 38 personave dhe lëndimin e 29 të mbijetuarve.
Dy udhëtarë të këtij aeroplani, që i mbijetuan rrëzimit, thanë ata dëgjuan të paktën një krismë të zhurmshme ndërkohë që avioni po i afrohej Groznit, në pjesën jugore të Rusisë.
“Pas kësaj krisme, më dukej që aeroplani do të copëtohej. Ishte e qartë që aeroplani ishte dëmtuar... Nuk dukej njësoj”, tha i mbijetuari Subhonkul Rakhimov nga spitali.
Pamjet e regjistruara në avion para rrëzimit tregojnë maskat e varura të oksigjenit dhe udhëtarët e veshur me jelekë. Pas rrëzimit të tij, në video-regjistrime shihen udhëtarët e lënduar teksa dalin nga aeroplani.
Rrëzimi i aeroplanit hodhi dritë mbi rreziqet ndaj avionëve civilë edhe atëherë kur fluturojnë qindra kilometra larg një zone lufte, veçanërisht kur luftohet me drone.
Avioni i kompanisë ‘Azerbaijan Airlines’ po fluturonte nga kryeqyteti Baku drejt Groznit të mërkurën, kur ndryshoi drejtim për shkaqe ende të panjohura dhe u përplas ndërkohë që po përpiqej të ulej në Aktau të Kazakistanit pasi që kishte fluturuar mbi pjesën lindore të Detit Kaspik.
Agjencia ruse për mbikëqyrjen e aviacionit tha të premten se aeroplani, që u rrëzua në Kazakistan të mërkurën, vendosi të ndryshonte drejtimin e planifikuar për shkak të mjegullës dhe paralajmërimeve nga autoritetet vendase për aktivitetet të dronëve ukrainas në atë zonë.
“Është e domosdoshme të identifikohen të gjitha rrethanat e këtij incidenti. Situata përreth aeroportit të Groznit atë ditë dhe gjatë atyre orëve ishte mjaft e vështirë. Dronët luftarakë të Ukrainës po kryenin sulme terroriste ndaj infrastrukturës civile në Grozni dhe Vladikavkaz... Po ashtu, kishte mjegull të dendur në afërsi të aeroportit të Groznit”, tha drejtuesi i Agjencisë ruse për transportin ajror, Dmitry Yadrov.
Ekspertët e aviacionit vlerësojnë se aeroplani i kompanisë ajrore të Azebajxhanit që u përplas në Kazakistan ka shumë gjasa të jetë rrëzuar pasi është goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Sipas tyre vrimat në pjesën e pasme të avionit janë shenjë se ai mund të jetë goditur nga sistemet mbrojtëse ajrore të Rusisë, që po përpiqeshin të parandalonin sulmin e një droni ukrainas.
“Gjasat janë të mëdha që përfundimi që ka nxjerrë qeveria e Azerbajxhanit të jetë i saktë, që sistemi mbrojtës ajror rus ka gabuar në identifikimin e avionit ngaqë ai ka ndryshuar drejtim dhe se ka reaguar me sistemin e mbrojtjes ajrore për shkak të sulmeve të dronëve ukrainas nga ky drejtim. Ka mundësi që ata e ngatërruan aeroplanin e udhëtarëve me një dron ukrainas dhe reaguan me sistemet e mbrojtjes ajrore”, thotë ekspertja e Rusisë, Ann Marie Dailey nga ‘Rand Corporation’.
Kompania ajrore e Azerbajxhanit pezulloi të premten fluturimet për në 7 qytete ruse, ndonëse do të vazhdojë fluturimet drejt gjashtë qyteteve kryesore të Rusisë./VOA