Shumë izraelitë do ta kujtojnë 2024 si vitin kur më shumë se 100 pengje e kaluan në robëri. Ata u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit në tetor të vitit 2023. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein nga Jeruzalemi, dështimi i qeverisë izraelite për t’i liruar pengjet ka patur një ndikim të thellë tek shoqëria izraelite.
Për shumë izraelitë është e paimagjinueshme që pas më shumë se një viti lufte, Hamasi ende vazhdon të mbajë rreth 100 pengje në Gazë.
Ashtu si shumë të afërm të pengjeve, Yarden Gonen ka punuar ditë e natë, duke udhëtuar në të gjithë botën, për t’u siguruar që motra e saj dhe pengjet e tjera të rrëmbyera nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit 2023, të mos harrohen.
“Nuk po ndihemi thjesht të dhunuar nga fakti që terroristët u futën në Izrael duke vrarë shumë njerëz dhe rrëmbyer shumë të tjerë. Por ndihemi të braktisur. Si ka mundësi që bota i beson më shumë propagandës së një organizate terroriste se një populli të pafajshëm?”
Protestat izraelite që kërkonin një marrëveshje armëpushimi për lirimin e pengjeve u bënë edhe më intensive gjatë vitit 2024. Ato arritën kulmin kur qindra mijëra njerëz dolën në rrugë pasi u zbulua se gjashtë pengje të moshave të reja ishin vrarë nga pengmarrësit dhe trupat e tyre u sollën nga ushtarët izraelitë.
Gil Dickmann, kushëri i një prej pengjeve, thotë për Zërin e Amerikës se protestat tregojnë hendekun e madh mes vullnetit të popullit izraelit dhe atyre që ai i cilëson si veprime të motivuara politikisht të qeverisë.
“Shumica e izraelitëve duan lirimin e pengjeve dhe ata janë të gatshëm të paguajnë koston. Qeveria dhe udhëheqja preferojnë vazhdimin përgjithmonë të luftës edhe nëse kjo nënkupton që pengjet të mbeten në robëri”.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se përfundimi i luftës dhe armëpushimi në këmbim të një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve do të nënkuptonte që Hamasi të mbante pushtetin çka mund të përbëjë kërcënim për Izraelin të në ardhmen.
Pas armëpushimit të brishtë mes Izraelit dhe Hezbollahut në Libanin jugor në fund të vitit 2024, janë shtuar shpresat mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje me Hamasin për t’i dhënë fund luftës dhe lirimin e pengjeve.
Shumë analistë dhe politikanë izraelitë thonë se shoqëria ende vuan nga trauma e 7 tetorit. Shelly Tal Meron është ligjvënëse e partisë opozitare Yesh Atid.
“Jemi të traumatizuar nga ajo që na ndodhi. Do të duhet shumë kohë që shoqëria izraelite ta marrë veten. Por nuk ka rehabilitim pa lirimin e pengjeve. Ky është hapi i parë. Pas kthimit të tyre, do të kemi të gjithë mundësinë që të kujdesemi për ta dhe të kujdesemi për shoqërinë izraelite.”
Një video propagandistike e Hamasit, e publikuar së fundmi, tregon pengun izraelito-amerikan Edan Alexander që i kërkon Presidentit të zgjedhur Donald Trump që të ndihmojë në lirimin e tij.
Presidenti i ardhshëm amerikan ka paralajmëruar se nëse pengjet nuk lirohen para se të marrë detyrën në janar, “përgjegjësit të bëhen gati të shkojnë në ferr”. Lirimi i pengjeve, nëse ndodh, do të mundësonte që shoqëria izraelite të fillonte rrugën e gjatë të shërimit të plagëve.