Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, akuzoi sot Hezbollahun e Libanit se nuk po respekton kushtet e marrëveshjes së armëpushimit dhe paralajmëroi se vendi i tij mund të “detyrohet të veprojë”.
Katz pohoi se luftëtarët e Hezbollahut nuk janë tërhequr në veri të lumit Litani në Libanin jugor, rreth 30 kilometra nga kufiri izraelit.
“Nëse ky kusht nuk plotësohet, nuk do të ketë marrëveshje dhe Izraeli do të detyrohet të veprojë në mënyrë të njëanshme për të garantuar kthimin e sigurt të banorëve të Izraelit verior në shtëpitë e tyre”, shtoi ai.
Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 27 nëntor, dy muaj pasi Izraeli dhe Hezbollahu hynë në luftë të hapur.
Sipas tekstit të armëpushimit, ushtria libaneze dhe paqeruajtësit e OKB-së duhet të vendosen në Libanin jugor dhe ushtria izraelite duhet të tërhiqet brenda 60 ditëve.
Armëpushimi parashikon gjithashtu tërheqjen e Hezbollahut në rreth 30 km nga kufiri izraelit.
Që nga fillimi i armëpushimit, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të vazhdueshme të saj.
“Kushti i parë për zbatimin e marrëveshjes është tërheqja e plotë e organizatës terroriste Hezbollah (deri në veri) nga lumi Litani, shkatërrimi i të gjitha armëve dhe çmontimi i të gjithë infrastrukturës terroriste në zonë nga ushtria libaneze, gjë që nuk e ka bërë ende”, tha Katz.